Qeveria në detyrë e Republikës së Kosovës, e ka miratuar propozimin e ministrit në detyrë të Shëndetësisës, Arben Vitia që të ndryshohet orari i kufizimit të lëvizjes së lirë.
Kjo është bërë e ditur nga vetë Zyra e Kryeministrit përmes një njoftimi për media, shkruan Gazeta Sinjali.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka aprovuar kërkesën e Ministrisë së Shëndetësisë për ndërmarrjen e masave për parandalimin dhe kontrollin e përhapjes së Corona virusit COVID-19 ka miratuar vendimin për plotësim dhe ndryshim të vendimit të Qeverisë nr 01/15 i datës 23.03.2020 me masat si në vijim: Ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private gjatë orës 17:00-06:00, përveç nevojave mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale (ushqim dhe barna për njerëz dhe kafshë/shpezë), dhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë (menaxhmenti dhe personeli esencial qeveritar dhe komunal nga këta sektorë: shëndetësi, siguri dhe administratë shtetërore)”, bëhet e ditur ndër të tjera në njoftim.
Në këtë mbledhje, e cila ishte e 17-ta me radhë që kjo qeveri e ka zhvilluar, është marrë gjithashtu vendim që barnatoret e licencuara të punojnë prej orës 06:00-17:00. Teksa, pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë.
“Barnatoret e licencuara në Republikën e Kosovës ushtrojnë veprimtaritë e tyre prej orës 06:00-17:00. Pas orës 17:00 veprimtaria e tyre do të organizohet përmes kujdestarisë. Barnatoret kujdestare do të përcaktohen nga Ministria e shëndetësisë/AKPPM në koordinim me Odën e Farmacistëve të Kosovës (OFK) dhe komunat përkatëse/autoritetet komunale”, thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit.
Qeveria në detyrë i ka marrë këto masa për shkak të parandalimit të përhapjes së pandemisë së koronavirusit.
Në Kosovë aktualisht numri i rasteve të konfirmuara me koronavirus ka shkuar në 88, është shënuar një viktimë, teksa zyrtarisht është raportuar edhe për një rast të shëruar./Gazeta Sinjali/