Qytetarët e Kosovës që nga viti 2018 nuk kanë pasur mundësi të blejnë nga vendet e tjera automjete më të vjetra se 10 vjet. Kjo pasi që deputetët e atëhershëm votuan një ligj i cili ndalonte importimin e tyre.
Por shumë shpejt një gjë e tillë mund të ndryshohet.
Qeveria e Kosovës është duke bërë gati një propozim i cili do të lejojë importimin e veturave të vjetra. E kushti i vetëm është që ato të jenë në gjendje të rregullt.
Mirëpo, akciza për këto vetura do të jetë dy herë më e lartë se veturat që janë më të reja se 10 vjet. Ky ndryshim po shihet si i nevojshëm nga njohës të komunikacionit.
Nol Deda, ekspert i komunikacionit ka një kërkesë nga Qeveria e Kosovës nëse i lejon importimin e veturave të vjetra.
“Ajo që është shumë e nevojshme për Kosovën është ndryshimi i Tarifave doganore për doganimin e automjeteve që ka me luajt rol të rëndësishëm që qytetari jonë mos me ble 12 vjeçarin por me ble 6 vjeçarin kjo është kur të bëhet barazimi i tarifave doganore”, thotë ai.
Sipas tij, veturat e vjetra janë ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit.
“Çdo veturë sa më e vjetër që është efeciente e djegies së karburanteve, e ka më të dobët dhe shkarkimin e gazrave djegës, e rritë gradualisht me kalimin e viteve që do të thotë sa më të vjetra të jenë veturat ndikimi i tyre në mjedis me shkarkimet në ajër i kanë më të mëdha”, tha Zeqir Veselaj për Tëvë1.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës nga janari i këtij viti e deri në fund të marsit në Kosovë janë importuar afro 5 mijë vetura.
Ku 4 mijë prej tyre janë vetura të përdorura kurse 700 janë vetura të reja.
Vlera e këtyre veturave të importuara për tre muaj, arrin në mbi 16 milionë euro përfshirë këtu doganën, akcizën e TVSh-në.