image Qetësohet gjendja e përmbytjeve në Shqipëri, lumi Vjosa rikthehet brenda shtratit - Sinjali

Qetësohet gjendja e përmbytjeve në Shqipëri, lumi Vjosa rikthehet brenda shtratit

news image

Ndërprerja e reshjeve të shiut e ka përmirësuar ndjeshëm situatën e përmbytjeve në qarqet Fier dhe Vlorë.

Lumi Vjosa është rikthyer brenda shtratit të tij pasi prurjet kanë rënë. Vetëm 100 ha tokë janë ende nën ujë, nga 1000 ha që ishin një ditë më parë. Kjo ka bërë që familjet e evakuuara të rikthehen në banesat e tyre, por problem për ta mbetet pastrimi nga balta dhe llumi. Ndërkohë që uji vijon të jetë prezent në tokat bujqësore.

Po ashtu, në rrugën nacionale Levan-Mifol, e cila dje ishte e pakalueshme nga ujërat, është rikthyer qarkullimi. Në qarqet Fier dhe Vlorë mbeten të mbyllura 5 shkolla për shkak të gjendjes së krijuar.

Ndërkohë, Juglindja dhe Veriu i vendit mbeten nën pushtetin e dëborës, edhe pse reshjet janë ndërprerë nga mbrëmja e së dielës. Në Dardhë dhe Voskopojë të Korçës ka probleme me qarkullimin e automjeteve, për shkak se bora arrin deri në 70 centimetër. 7 fshatra të tjerë janë të izoluara. Ndërsa OShEE vijon punën për riparimin e avarive në sistemin elektrik.

Në qarkun e Dibrës mbeten të izoluara plotësisht Njësia Administrative Lurë dhe Selishtë, dhe disa fshatra të njësisë Sllovë, Kala e Dodës dhe Melan. Pas ndërprerjes së reshjeve të dëborës problem mbeten ngricat, raporton TV Klan.

Aktualisht të gjitha akset kombëtare janë të kalueshme, por këshillohet që drejtuesit e automjeteve të përdorin gomat e dimrit dhe zinxhirët. /GazetaSinjali/


Shpërndaje artikullin