Rastet e sulmeve të qenve endacakë ndaj qytetarëve në Prishtinë po shtohen përditë. Së fundmi një studente e Fakultetit Juridik në Universitetin e Prishtinës ka bërë të ditur se u sulmua nga qentë endacakë.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Flora Halimi ka ndarë rrëfimin e saj, duke thënë se u nis për fakultet, por përfundoi në Qendër të Mjekësisë Familjare, raporton Gazeta Sinjali.
Halimi tha se ka shpëtuar nga kafshimet e qenve, por ka marrë lëndime nga përpjekjet për të ikur nga ta.
“U nisa për në fakultet, mbarova në Qendër të Mjekësis Familjare! Falë Zotit, iu shpëtova kafishemve të qenëve endacak, por jo edhe lëndimeve që i morra si pasojë e përpjekve për të ikur nga ta”, shkroi ajo.
Ajo ka kërkuar këshilla apo udhëzime se si të menaxhohet frika në të tilla raste, pasi që siç thotë Komuna dhe shteti po qëndrojnë indiferentë ndaj këtij rreziku.
“Meqenëse komuna dhe shteti janë duke qëndruar indiferentë ndaj këtij rreziku që po na kanosë jetën, po na cënon intergritetin fizik e mental. Atëherë nëse keni ndonjë këshillë apo udhëzim se si të menaxhohet frika në këto raste, mjetet praktike adekuate që duhet përdorur për vetmbrotje atëherë ju lutem mos hezitoni me i nda me neve”, shtoi Halimi në Facebook.