image Qëndron Kastrati i bën kallëzim penal një drejtori të Ministrisë së Arsimit për shkak të rezistencës së reformave arsimore

Kosovë

Qëndron Kastrati i bën kallëzim penal një drejtori të Ministrisë së Arsimit për shkak të rezistencës së reformave arsimore

news image

Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka bërë kallëzim penal ndaj drejtorit të Departamentit për Arsim Parauniversitar, në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogut, me arsyetimin se ka penguar reformat arsimore në Kamenicë, raporton Gazeta Sinjali.

Kallëzimi penal i Kastratit ndaj Alush Istogut është dorëzuar dje në Prokurorinë Themelore të Gjilanit, për shkak se sipas kryetarit të Kamenicës, Istogu i ka tejkaluar kompetencat e tij.

Madje, Kastrati në një bisedë për Gazetën Sinjali ka akuzuar Istogun se ka bërë thirrje për rezistencë të reformave arsimore. Kryetari i Kamenicës thotë se janë të gjitha dëshmitë që tregojnë se Istogu ka bërë thirrje për rezistencë.

“Ato janë deklarata, qëndrime për media, ne krejt i kemi bashkangjitur. D.m.th.  ai në ndërkohë thotë që reforma është e kundërligjshme, kryetari ka thanë komuna e Kamenicës nuk është konsultuar me ministrinë edhe pse jemi konsultuar me ministrin disa herë edhe me zotëri Istogun, jemi taku në një konferencë të përbashkët. Edhe janë provat, faktet që i kemi bashkangjitur si dosje që ai ka bërë thirrje për rezistencë. I ka tejkaluat kompetencat e veta edhe kështu që le të ballafaqohet. D.m.th. ka zyrtarë që ju kanë thanë personalit nëpër takime edhe media për të cilat ka dhanë deklarata”, ka thënë Qëndron Kastrati për Gazetën Sinjali.

Kur është pyetur Kastrati se a ka biseduar me ministrin e Arsimit për reformat arsimore në Kamenicë, Kastrati ka thënë se për këtë gjë, ka biseduar me ministrin e Arsimit dhe se nuk ka nevojë të bisedojë me të gjithë zyrtarët në këtë ministri.

“Unë e di një gjë me e kuptu që kryetari i Komunës flet me ministrin e Arsimit edhe nuk flet aty me cilin do zyrtarë të Ministrisë se nuk kam kohë ashtu. Kam fol me udhëheqësin e ministrisë, ministrin e Arsimit, ka dëshmi, ka qëndrime, postime publike për këtë. Edhe ne jemi konsultuar me ministrinë edhe është dëshmitar ish-ministri”, ka thënë Qëndron Kastrati.

Për gjithë këtë rast, drejtori i Arsimit Parauniversitar në Ministrinë e Arsimit, Alush Istogu, ka thënë se nuk është në dijeni se i është bërë ndonjë kallëzim penal nga Qëndron Kastrati.

Madje, Istogu thotë se nuk ka qenë asnjëherë kundër reformave arsimore, por thotë se i mbështetë ato.

“Unë nuk e kam marrë ende informatën zyrtare dhe pasi të marrë informatën zyrtarë e analizoj dhe jap informacionin, as një herë nuk kam qenë dhe nuk jam kundër reformave, përkundrazi i kam mbështet reformat e arsimit”, ka thënë Alush Istogu për Gazetën Sinjali.

Istogu ditë më parë në një prononcim për Gazetën Sinjali kishte thënë se Komuna e Kamenicës nuk ka marrë leje për t’i bërë reformat në arsim.

“S’ka marrë leje prej Ministrisë së Arsimit as nuk ka bërë kërkesë në Ministri të Arsimit që po i bënë reformat. Shiko nuk e di, ligji e përcakton shumë çështje të qarta, kur hapet shkolla dhe kush është themelues i shkollës. Themelues i institucioneve është Ministria e Arsimit dhe vendimi që e nxjerr ministri i Arsimit. Nuk di më tutje unë po flas ligjërisht. Çka bën ai, secili mban përgjegjësi për veti.  Është kryetari i komunës”, ka thënë Alush Istogu.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Kamenicës ditë më parë ka paditur 23 prindër për moszbatim të reformës arsimore.

Gazeta Sinjali ka raportuar edhe më parë për reformën në arsim në Komunën e Kamenicës. Po ashtu edhe për shkollën “Hasan Prishtina”, në fshatin Busavatë. Për 72 vjet rresht kjo shkollë ishte funksionale, ndërsa komuna tashmë ka vendosur që ta bashkojë me shkollën “Fan S. Noli” edhe pse sipas mësimdhënësve të kësaj shkolle vijojnë mësim 104 nxënës. /Gazeta Sinjali/