Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati, ka denoncuar dy asamblistë në polici, pasi që sipas tij, e kanë penguar mbajtjen e seancës së Kuvendit Komunal, shkruan Gazeta Sinjali.
Siç ka njoftuar policia në raportin 24 orësh, lidhur me rastin është kontaktuar prokurori dhe me vendim të tij, pas intervistimit personat e dyshuar janë liruar në procedurë të rregullt.
“Ankuesi mashkull kosovar (kryetar i Komunës së Kamenicës) ka raportuar se dy persona të dyshuar meshkuj kosovarë (asamblistë komunal), kanë penguar mbajtjen e seancës së Kuvendit Komunal. Është kontaktuar prokurori dhe me vendim të tij, pas intervistimit personat e dyshuar lirohen në procedurë të rregullt”, thuhet në raportin e policisë./Gazeta Sinjali/