image Qëndrimet e kundërta të Sindikatave dhe Qeverisë për rritjen e pagës minimale

Financa

Qëndrimet e kundërta të Sindikatave dhe Qeverisë për rritjen e pagës minimale

news image

Derisa Ministria e Financave është në finalizim të projektligjit për rritjen e pagës minimale, Sindikatat po kërkojnë që ajo të jetë 350 euro.

Kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, Atdhe Hykolli ka treguar se po kërkojnë që paga minimale të jetë 350 euro dhe nën këtë shumë nuk do të negociohet.

“Paga minimale nuk është negociuar që nga viti 2011 dhe sipas analizave tona që kemi pasur deri tash, negocimi i pagës minimale nën 350 euro është i vogël. Ne mendojmë se nën nivelin e 350 eurove ndoshta nuk kemi se as çfarë të diskutojmë”, ka thënë ai.

Rekomandim tjetër në lidhje me pagën minimale kanë bërë Sindikatat e Pavarura të Sektorit Privat.

Ato kanë kërkuar që rritja të jetë në 400 euro.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti përmes një postimi në Facebook gjatë ditës së sotme ka bërë të ditur se pragu i pagës minimale ka mbetur për t’u dakorduar brenda Këshillit Ekonomiko-Social.

Kurse, në Kuvendin e Kosovës, Kurti tha se pagat minimale do të rriten mirëpo jo në proporcion me rritjen ekonomike.

“Ndonëse pagat në Kosovë duhet të rriten e do të rriten, ato s’mund ta ndjekin rritjen ekonomike. Në anën tjetër, pagat mund ta ndjekin rritjen ekonomike vetëm kur kemi papunësi shumë të ulët. Në kushte kur kemi papunësi shumë të lartë, s’mund ta ndjekë rritjen ekonomike rritja e pagave”, deklaroi Kurti.

/GazetaSinjali/