image Qëllohet me armë zjarri vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi

Siguri

Qëllohet me armë zjarri vetura e gazetarit Shkumbin Kajtazi

news image

Gazetari nga Mitrovica, Shkumbin Kajtazi, ka njoftuar se vetura e tij është sulmuar me armë zjarri nga persona ende të panjohur, mbrëmë pas mesnate, raporton Gazeta Sinjali.

Lajmin e ka bërë të ditur vetë gazetari, i cili tha se vetura e tij u qëllua me 5 ose 6 plumba.

Në momentin e sulmit, Kajtazi thotë se vetura e tij ishte e parkuar në qendër të qytetit të Mitrovicës, ndërsa ai kishte qenë aty afër.

Kajtazi thotë se nuk ka besuar se mund të jetë një sulm i tillë, pasi që ai thotë se nuk ka pasur probleme personale me askënd që nga shkolla e mesme.

Kështu, këtë sulm ai e lidh me punën e tij si gazetar dhe kërkon që rasti të zbardhet sa më parë.

“Unë isha afër dhe kam dëgjuar krisma arme, por si njeri naiv që beson se Kosova është vend normal, nuk e kam lejuar mendjen të më thotë se mund të jetë sulm i tillë. Isha gabim. Kur u afrova te vendi ku e kisha parkuar, pashë se vetura ishte dëmtuar në masë të madhe. Në fillim pata bindjen se ishte goditur me diçka të fortë, mirëpo më pas u vërejtën gjithandej vrima dhe predha të plumbave: në ulësen e shoferit, në tavan e në pjesën e prapme. Edhe në Polici deklarova se rasti lidhet me punën, pasi problem personal me dikë nuk kam pasur që nga shkolla e mesme. Rasti është në Polici dhe shpejt do ta marrin në dorë hetuesit e krimeve të rënda. Zbardhja e tij duhet të bëhet shpejt, ose rrezikon të mbetet zhag si i mëparshmi”, ka shkruar Kajtazi në Facebook.

Ai ka thënë se nuk ndihet i frikësuar, çka pretendon se është qëllimi i personave që i janë vënë pas, por thotë se është i dëshpëruar me Kosovën dhe njerëzit e saj.

Kujtojmë që ky nuk është sulmi i parë ndaj gazetarit Shkumbin Kajtazi, më 13 qershor të këtij viti, dikush e kishte lyer me benzinë dhe kishte tentuar t’ia vinte flakën veturës së tij./Gazeta Sinjali/