image PZAP vendos sot për votat që mund ta fundosin Nismën e AKR-në në këto zgjedhje

Kosovë

Zgjedhje/ PZAP vendos sot për votat që mund ta fundosin Nismën e AKR-në në këto zgjedhje

news image

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtesa (PZAP) pritet të mblidhet sot dhe të marrë vendim për numërimin e rreth 5 mijë votave të diasporës, të cilat kishin arritur në Kosovë me vonesë, pavarësisht që ato ishin nisur me kohë.

Në fakt këto vota pritet ta vendosin të ardhmen e koalicionit Nisma-AKR-PD e cila po lufton për pragun zgjedhor.

Fatmir Matoshi, nga AKR, ka thënë se koalicioni në krye me Fatmir Limajn aktualisht me këto vota është pjesë e Kuvendit të Kosovës, pasi që sipas tij kanë më shumë se 5 % të votave.

Megjithatë, ndonëse thotë se e kanë kaluar pragun, Matoshi ka deklaruar se numërimi i rreth 5 mijë votave të diasporës mund të ndryshojë rezultatin e tyre, si rrjedhojë ata nuk do të mundë ta mbajnë kuotën e 5-përqindëshit.

“Ajo që e kam parë është se në bazë të provave që i kemi ne si koalicione, e kemi kaluar pragun. Se çfarë do të ndodhë me 4 mijë e 500 votat që pritet të numërohen është çështje tjetër. Mundemi që ne të mos kemi vota të mjaftueshme për ta ruajtur kuotën e 5-përqindëshit dhe mundemi të biem prapë”, ka thënë ai për Zëri.

Matoshi ka theksuar se nëse nuk numërohen votat e diasporës koalicioni Nisma – AKR do të jetë pjesë e Kuvendit të Kosovës.

“Nëse ato vota nuk numërohen, ne në bazë të dhënave që i kemi e kemi kaluar pragun. Këtë e ka konfirmuar KQZ-ja, por nëse ato numërohen, atëherë ne mundemi ta përmirësojmë situatën, por ka mundësi që edhe të mos kemi vota tonat aty”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/