Një ditë para hapjes zyrtare të fushatës zgjedhore, Paneli Zgjedhore për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve ka paralajmëruar subjektet politike që të bëjnë fushatë në përputhje me ligjin, ndryshe rrezikojnë të gjobiten deri në 50 mijë euro.
Kryetarja e PZAP-së, Gyltene Sylejmani, ka bërë të ditur kornizat ligjore për fushatën zgjedhore.
Teksa tha se për mosrespektim të legjislacionit në zgjedhjet e parakohshme të vitit 2017, PZAP ka shqiptuar dënime në shumë prej 848 mijë e 900 euro, sidomos për shkelje të kodit të mirësjelljes.
Ajo u ka bërë thirrje partive politike të bëjnë fushatë në përputhje me ligjin, pasi PZAP ka ndërmarr të gjitha veprimet e parapara ligjore për organizimin e zgjedhjeve.
“Një mesazh i PZAP-së për të gjitha subjektet politike, për të gjithë mbështetësit e tyre është që subjektet politike të krijojnë kushte që populli i Kosovës të zgjedh përfaqësuesit e tyre, përmes zgjedhjeve të lira, në sundim të ligjit dhe në mënyrë demokratike”, tha ajo.
Faton Azemi, anëtar i PZAP-së, tha se do të mbrojnë dhe garantojnë votën e secilit qytetar, teksa pati një mesazh për subjektet politike dhe kandidatët e tyre për deputetë.
“PZAP nuk do të tolerojë asnjë subjekt politik apo kandidat, që në këto zgjedhje ta cenojë apo minoj procesin zgjedhor. Jemi këtu për t’iu bërë apel të gjitha subjekteve politike që të zhvillojnë një fushatë të ndershme, të përmbajtur, e cila do të karakterizohet nga fushata programore dhe t’i shmangen çështjeve akuzuese, sepse vetëm në atë mënyrë do të sigurohet që procesi zgjedhor të jetë në një integritet të lartë”, tha ai.
PZAP përkujtoi subjektet politike që të kenë kujdes të mos përfshijnë në fushatë persona nën moshën 18 vjeçare, pasi në raste të tilla do të shqyrtohen gjoba./Gazeta Sinjali/