Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, të enjten e urdhëroi ushtrinë ruse që t’i anulojë planet për ta sulmuar fabrikën “Azovstal” në Mariupol të Ukrainës dhe tha se dëshiron që kjo fabrikë të jetë e bllokuar plotësisht.
Putini ia dha këtë urdhër ministrit rus të Mbrojtjes, Sergei Shoigu, i cili më herët i tha presidentit të tij se mbi 2.000 luftëtarë ukrainas ende ndodhen të mbyllur në fabrikën e madhe, që ka edhe hapësira nëntokësore.
“E cilësoj të panevojshëm sulmimin e zonës industriale. Të urdhëroj që ta anulosh atë”, i tha Putini ministrit të tij gjatë një takimi në Kremlin, që u transmetua në televizion.
Presidenti rus tha se vendimi për të mos e sulmuar fabrikën është i motivuar nga dëshira për ta ruajtur jetën e ushtarëve rusë.
“Bllokojeni këtë zonë në atë mënyrë që as një mizë të mos mund të kalojë”, tha ai.