image Putin viziton Sirinë

Botë

Botë/ Putin viziton Sirinë

news image

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po qëndron për vizitë në Siri ku takoi presidentin, Bashar al-Asad dhe zhvilloi konsultime me zyrtarët ushtarakë rusë në Damask.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, u tha gazetarëve në Moskë, se Putin udhëtoi me një automjet në rrugët e kryeqytetit sirian, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Damaskut në selinë e grupit të Forcave të Armatosura Ruse.

Peskov tha se Putin është takuar me Asadin në selinë e Forcave të Armatosura Ruse.

“Udhëheqësit (Putin dhe Asad) dëgjuan së bashku raportet ushtarake për zhvillimet në rajone të ndryshme të vendit”, tha Peskov.

Vizita e Putinit nuk ishte e paralajmëruar më herët.

Rusia është aleati kryesor i presidentit sirian Bashar al –Asad, forcat ushtarake të të cilit po luftojnë me rebelët që kundërshtojnë regjimin e tij.

Idlib në veri-perëndim të Sirisë është rajoni i fundit i madh i mbajtur nga rebelët që kundërshtojnë presidentin Bashar al-Asad.

Qeveria Siriane e mbështetur nga Rusia e ka bombarduar Idlibin që nga fundi i nëntorit.

Më shumë se 235.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në provincën Idlib të Sirisë.

Eksodi ndodhi midis 12 dhe 25 dhjetorit.

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka paralajmëruar Rusinë, Sirinë dhe Iranin kundër vrasjeve të civilëve në provincën Idlib të Sirisë dhe ka thënë se Turqia është duke punuar shumë që të ndalë “masakrën”.

“Rusia, Siria dhe Irani janë duke vrarë ose janë në drejtim të vrasjes së mijëra civilëve të pafajshëm në provincën Idlib. Mos e bëni këtë! Turqia është duke punuar shumë për të ndalur këtë masakër”, ka thënë Trump në një postim në rrjetin social, Twitter, më 26 dhjetor. /Gazeta Sinjali/