Presidenti rus Vladimir Putin, ka pohuar se Donald Trump, dikur i kishte shprehur atij shqetësimet e tij për nivelin e shpenzimeve ushtarake amerikane për të cilat ai tha se ishin “shumë të larta”.
Si pjesë e një serie intervistash të filmuara me agjencinë e financuar nga Kremlini, Tass, për të shënuar 20 vjetorin e pozicionit të tij në krye të politikës ruse, Putin u pyet për aftësitë ushtarake të Rusisë.
Sipas Newsweek, ai i tha intervistuesit, Andrei Vandenko, se Rusia nuk kishte ndërmend të luftonte kundër askujt, përkundrazi qëllimi i zhvillimit të saj ushtarak ishte “të krijonte kushte në mënyrë që askush të mos dëshirojë të luftojë kundër nesh”.
“Sot ne renditemi në vendin e shtatë sa i përket shpenzimeve në armë. SHBA na ka tejkaluar, Donald Trump më tha se ata kanë miratuar një buxhet të madh për vitin e ardhshëm, një buxhet 738 miliardë dollarë, mendoj”, tha Putin.
Ndërsa kur u pyet nga Vandenko nëse Trump po mburrej me këtë, Putin është përgjigjur: “Jo. Ai e tha këtë me keqardhje. Ai tha se kostot ishin shumë të larta. Por ai duhej ta bënte atë. Ai në të vërtetë mbrojti çarmatimin, siç më tha”.
Ndërkohë Newsweek shkruan se ka kontaktuar Shtëpinë e Bardhë për një përgjigje ndaj pretendimit të Putinit.
Gjithsesi, Putini nuk e saktësoi se kur Trump e kishte thënë këtë.
Po sipas Newsweek, muajin e kaluar, Trump i dërgoi Kongresit një kërkesë buxheti të vitit 2021 me 740.5 miliardë dollarë, 705.4 miliardë dollarë e të cilit ishte për Departamentin e Mbrojtjes. /Gazeta Sinjali/