image Putin tregon arsyen se pse nuk e ka uruar Bidenin për fitoren në SHBA

Botë

Putin tregon arsyen se pse nuk e ka uruar Bidenin për fitoren në SHBA

news image

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin beson se ka probleme në sistemin zgjedhor në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pasi sipas tij, kjo ishte absolutisht e qartë për të gjithë botën, transmeton Gazeta Sinjali.

Sipas Putinit, vetëm amerikanët mund ta vlerësojnë legjitimitetin e zgjedhjeve në SHBA.

“Ju e shihni, nëse autoritetet janë legjitime ose jo, vetëm amerikanët mund ta vlerësojnë atë” tha Putin në një intervistë për kanalin televiziv Russia-1.

Ai po ashtu tha se të metat e sistemit zgjedhor amerikan mohojnë të drejtën e Shteteve të Bashkuara për të akuzuar ndonjë vend tjetër për rregulla të këqija zgjedhore, dhe theksoi se Moska kundërshton ndërhyrjen në punët e brendshme të Amerikës, ndërsa akuzoi se Washingtoni zyrtar po e bën pikërisht atë.

“Shikoni zgjedhjet. Ata nuk lejojnë vëzhguesit të afrohen më pak se 7 metra”, tha Putin, duke theksuar përsëri se kjo është çështje e brendshme e SHBA-së.

Ai gjithashtu shpjegoi se pse nuk e ka uruar ende presidentin e zgjedhur, Joe Biden për fitoren në zgjedhjet presidenciale.

Sipas tij, është e nevojshme të pritet që të gjitha çështjet ligjore dhe procedurat të mbyllen, ndërsa tha se mungesa e një urimi zyrtar në këtë kohë për presidentin e ri të SHBA-së nuk do t’i dëmtojë marrëdhëniet me kryeqytetin amerikan.

“Ne e respektojmë presidentin aktual Donald Trump dhe kandidatin për presidentin e ri të SHBA-së, Joe Biden dhe nuk kemi asnjë problem me këtë”, tha presidenti rus, duke kujtuar se shumë liderë e kishin përgëzuar Hillary Clintonin në zgjedhjet e parafundit në SHBA, por në fund doli se Donald Trump i kishte fituar zgjedhjet.

“Ne do të bashkëpunojmë me secilin kandidat që e ka fituar besimin e shumicës së popullit amerikan”, tha Putin duke përsëritur se nuk ka qëllime të fshehura të Moskës ose pak a shumë favorizim për njërin ose tjetrin kandidat për Shtëpinë e Bardhë.

“Ne jemi vetëm duke pritur derisa të përfundojnë zgjedhjet dhe trazirat politike në Amerikë”, përfundoi Putin. /Gazeta Sinjali/