image Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

Botë

Putin shpall gjendje lufte në katër rajonet e aneksuara ukrainase

news image

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, tha se ka shpallur gjendje lufte në rajonet ukrainase të Donetskut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës, duke u dhënë fuqi shtesë krerëve të rajoneve të Rusisë. Këto katër rajone ukrainase Moska pretendon se i ka aneksuar.

“Kam nënshkruar dekretin për shpalljen e gjendjes së luftës në këto katër subjekte të Federatës Ruse”, tha Putin gjatë takimit të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Rusisë, që u transmetua drejtpërdrejt.

Kremlini më pas publikoi dekretin ku thuhet se gjendja e luftës do të hyjë në fuqi mëngjesin e 20 tetorit. Putin nuk tregoi se çfarë hapash konkretë do të ndërmerren pas shpalljes së gjendjes së luftës.

Dekreti i tij u jep agjencive të zbatimit të ligjit tri ditë afat për të paraqitur propozime specifike.

“Ne po punojmë që të zgjidhim çështjet e vështira që të mbrojmë sigurinë e Rusisë dhe të garantojmë të ardhme të sigurt, të mbrojmë njerëzit tanë”, tha Putin.

“Ata që janë në vijat e luftës ose janë duke u trajnuar për luftë në qendrat trajnuese, duhet ta ndjejnë mbështetjen tonë dhe duhet të dinë se kanë pas vetes shtetin dhe popullatën”, shtoi ai.

Putin po ashtu nënshkroi edhe një dekret tjetër më 19 tetor, sipas të cilit, gjatë zbatimit të gjendjes së luftës, sistemet e “mbrojtjes territoriale” do të organizohen në territoret e aneksuara, ndërkaq në tetë rajone të tjera do të shpallet i ashtuquajturi “reagim i nivelit të mesëm”.

Në dekret po ashtu u tha se “gatishmëri e lartë” do të shpallet në rajonet qendrore dhe jugore të Rusisë, ndërkaq në rajonet e tjera të shtetit do të shpallet “gatishmëria e nivelit të mesëm”.

“Nëse është e nevojshme, masa të tjera do të vendosen në gjendjen e luftës”, u tha në dekret. Analistët thanë se disa pjesë të dekretit mund të nënkuptojnë se mund të shpallet gjendje e luftës edhe në pjesë të tjera të Rusisë ku aktualisht nuk po zhvillohet luftë. 

Këto vendime, pas pothuajse tetë muaj luftë ndaj Ukrainës, shënojnë përshkallëzimin e fundit nga Putini, ushtria e së cilit është përballur me një sere disfatash pas nisjes së një kundërofensive nga forcat ukrainase në fillim të shtatorit.

Duke zgjeruar dekretin në rajonet përtej Ukrainës, kjo lëvizje siguron që më shumë rusë – që veçse janë të zemëruar nga mobilizimi ushtarak i shpallur muajin e kaluar – do të ndiejnë edhe më shumë pasojat e luftës në jetën e tyre.

Dekreti obligon guvernatorët rajonalë që të marrin masa për të siguruar zbatimin e asaj që Rusia e quan “operacion të posaçëm ushtarak në Ukrainë” dhe për të ofruar siguri në rajonet ku gjenden trupat ruse.

Putin po ashtu ka urdhëruar Qeverinë që të themelojë një këshill të posaçëm koordinues, që do të mbikëqyret nga kryeministri rus, Mikhail Mishustin. Ky këshill ka për qëllim të bashkëpunojë me rajonet ruse për të forcuar përpjekjet e Moskës për luftë.

Putin tha se vendimi i tij “do të dërgohet menjëherë” për miratim në Dhomën e Lartë të Parlamentit rus. Ai shtoi se Dhoma e Ulët, po ashtu është njoftuar për vendimin e tij.

Mykhaylo Podolyak, këshilltar presidencial i Ukrainës, tha se vendimi i Putinit ishte një “pseudo-legalizim i plaçkitjes së pronës ukrainase”.

“Kjo nuk ndryshon asgjë për Ukrainën: ne do të vazhdojmë çlirimin e territoreve të pushtuara”, tha Podolyak përmes një postimi në Twitter pasi Putin njoftoi për shpalljen e gjendjes së luftës në katër rajonet ukrainase.

Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Pasi Moska mbajti referendume të rreme në katër rajonet ukrainase, më 30 shtator Putin nënshkroi dekretin për aneksimin e tyre. Kievi dhe Perëndimi e kanë cilësuar vendim të paligjshëm aneksimin e katër rajoneve ukrainase, që janë pjesërisht të pushtuara nga forcat ruse.

/GazetaSinjali/