Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan dhe homologu i tij rus Vladimir Putin filluan bisedimet sot në Soçi për “normalizimin e situatës” në Sirinë verilindore, njoftoi Kremlini.
Erdogan vlerësoi përpara takimit se “rajoni po kalon në një periudhë të rëndësishme”.
“Unë besoj se nga ky takim do të përfitojë rajoni, i cili po kalon në një periudhë të rëndësishme,” tha Erdogan, duke qëndruar ulur pranë Putinit, raporton DPA.
Presidenti turk tha se takimi i dy liderëve ishte një “mundësi shumë serioze”.
Ndërsa, Putin shprehu shpresën se marrëdhëniet e ngushta midis vendeve të tyre do ta bënin më të lehtë gjetjen e një zgjidhjeje për konfliktin në Siri.
Ministria e Jashtme ruse tha sot se ofensiva turke në Siri është një shkelje e integritetit territorial të Sirisë, raporton Reuters duke cituar Interfax.
Zëvendës ministri i Jashtëm Oleg Siromolotov tha se vetëm ushtarët rusë dhe iranianë kanë të drejtë ligjore të jenë në Siri.
Ai gjithashtu shtoi se pret që takimi i Soçit të sqarojë kush kontrollon pjesë të pasura me naftë të Sirisë verilindore.
Erdogan kishte paralajmëruar më parë kurdët sirianë të largoheshin nga territori ku një zonë e sigurt duhet të krijohej deri sonte në ora 22.00 sipas kohës lokale, kur skadon armëpushimi pesë-ditor sipas marrëveshjes së arritur ndërmjet Turqisë dhe SHBA-së.
Erdogan tha se tërheqja e milicisë kurde është ende në vazhdim dhe se Turqia tani kontrollon më shumë se 2,000 kilometra territor sirian në kufirin e saj juglindor.
Turqia po kërkon që luftëtarët e Forcave Demokratike Siriane (SDF) të udhëhequra nga kurdët të largohen nga zona përgjatë kufirit 444 kilometra dhe në thellësi 32 kilometra, duke i konsideruar ata terroristë të lidhur me rebelët kurdë në Turqi.
Erdogan tha gjithashtu sot se i ka propozuar kryeministrit britanik Boris Johnson mbajtjen e një samiti mbi Sirinë me presidentin francez Emmanuel Macron dhe kancelaren gjermane Angela Merkel.
Erdogan tha se ai do të pajtohej me kusht që samiti të mbahej në Stamboll ose në qytetet kufitare të Sanliurfi ose Gaziantep./Gazeta Sinjali/