Tetë punonjës të kompanisë së pastrimit të qytetit të Kuçovës në Shqipëri kanë hipur mesditën e sotme në majë të kullës së ish-Milvës, ku kanë kërcënuar për dy orë rresht se do të hidheshin nëse nuk do të riktheheshin në punë.
Luiza Halili, Aziz Isufaj, Donika Bregaj, Shkëlqim Kasëmi, Agron Xhafa, Zoica Prifti, Kristaq Bano dhe Elona Bregaj u hoqën dje nga puna pa asnjë lloj justifikimi dhe kjo ka qenë arsyeja që ata hipën sot në majë të kullës. Ndërkohë që njëra prej tyre, Elona Bregaj e ka ndërmarrë edhe më parë këtë akt duke hipur në kullën e TEC-it në Kuçovë, pasi ishte hequr nga e njëjta punë.
Ata kanë deklaruar se këtë akt e ndërmorën pasi ishin hequr nga puna pa të drejtë dhe nuk mund të ushqejnë dot familjet e tyre. Ata kanë deklaruar se në qoftë se nuk do të rimerren në punë, do të tentojnë sërish vetëvrasjen.
Pas negociatave të shumta të Policisë dhe përfaqësuesve të firmës së pastrimit të qytetit, ata kanë zbritur që lart dhe janë nisur drejt punës.