image Meshkujt prijnë për vetëvrasje, derisa femrat më shumë tentojnë të bëjnë vetëvrasje

Siguri

Meshkujt prijnë për vetëvrasje, derisa femrat më shumë tentojnë të bëjnë vetëvrasje

news image

Shqetësuese për qytetarët e Kosovës vazhdon të mbetet dukuria e vetëvrasjeve e tentim vetëvrasjeve, ku në tri vitet e fundit kanë ndodhur më shumë se 100 vetëvrasje e mbi 300 tentime vetëvrasje, raporton Gazeta Sinjali.

Rastet më të shpeshta të viktimave janë të moshave nga 18 deri 40 vjeçare. Meshkujt prijnë në kryerje të këtij akti, kurse për rastet e mbetura në tentativë ka më shumë raste të gjinisë femërore.

Format e kryerjes së akteve pos me armë, bëhen edhe në varje, kërcime nga lartësia, konsumim medikamentesh e gjësende tjera.

Derisa edhe motivet që qojnë deri tek vetëvrasjet  e tentim vetëvrasjet janë të natyrave të ndryshme, si problemet me financa, borxhet, çështjet familjare e të tjera.

Nga Policia e Kosovës tregojnë për Gazetën Sinjali se vetëvrasjet si akt, trajtohen nga institucione dhe nga individë të profesioneve të ndryshme. Secili i qaset nga fushë-veprimi i vet.  Është temë e psikologëve, mjekëve e të tjerëve të cilët kanë rol parandalues e këshillues.

“Policia i heton këto raste kur dyshohet se personi është shtyrë të bëjë një veprim të tillë, pra kur kemi të bëjmë me vepër penale shtyrja në vetëvrasje  dhe kur ka të dhëna se është konsumuar vepra penale ndihma në vetëvrasje”, thonë nga Policia.

Sa i përket gjinisë dhe moshës së viktimave të rasteve të vetëvrasjeve, policia tregojnë se nuk mund të thonë se është një moshë e caktuar që dominon edhe pse raste pak më të shpeshta janë ato me viktima të moshave nga 18 deri 40 vjeçare. Kur flasim për gjininë, viktimat e gjinisë mashkullore prijnë në kryerje të këtij akti, kurse për rastet e mbetura në tentativë ka më shumë raste të gjinisë femërore.

“Ne si polici, si në çdo paraqitje tonë, shfrytëzojmë rastin që përmes mediave të apelojmë për raste të ndryshme. E në rastin konkret apeli ynë u drejtohet atyre që kanë informata se persona të caktuar me probleme, që gjinden në një hidhërim të thellë dhe depresion. Për këto raste, për këta persona të lajmërojnë institucionet përkatëse, përfshirë policinë edhe pse puna rehabilituese, këshilluese u takon institucioneve, profesioneve tjera,  ne do ta adresojmë problemin atje ku duhet në mënyrë që të kemi sa më pak raste të tilla”, theksojnë nga Policia.

Policia e Kosovës tregon për Gazetën Sinjali se në nivel vendi sivjet nga 1 janari deri me 31 korrik kanë ndodhur 17 raste të vetëvrasjeve. 

Sipas Policisë, në vitin 2021 ishin 44 vetëvrasjeve dhe  131 tentim-vetëvrasje. Më 2020 ishin  40 vetëvrasjeve dhe  101 tentim-vetëvrasje. Ndërsa në vitin 2019 ishin 31 vetëvrasjeve dhe  142 tentim-vetëvrasje.

/GazetaSinjali/