image Pupovci: Sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve do të pësojë ndryshime

Arsim

Pupovci: Sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve do të pësojë ndryshime

news image

Deri në fund të vitit pritet që sistemi i vlerësimit të mësimdhënësve në Kosovë të pësojë ndryshime dhe të rregullohet me Ligj, pasi deri më tani, ka pasur shumë mangësi.

Këtë e ka konfirmuar zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

Njohës të arsimit theksojnë se mënyra e vlerësimit duhet të ndryshohet ashtu që mësimdhënësit të kenë një vlerësim të vazhdueshëm të performansës së tyre.

Procesi i vlerësimit të mësimdhënësve në Kosovë, aktualisht ka shumë mangësi dhe për këtë kërkohet ndryshimi i mënyrës se vlerësimit. Zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci, ka thënë për Radio Kosovën, se kjo çështje është duke u rregulluar me ligj, pasi që sistemi aktual i vlerësimit të performansës së mësimdhënësve, nuk është efektiv. Pupovci bëri të ditur së Ministria e Arsimit e ka në programin qeverisës rishikimin e këtij sistemi.

“Kjo çështje tashmë është duke u rregulluar edhe me ligj. Mirëpo, ne kemi vërejtur që gjatë kësaj periudhe sistemi aktual i vlerësimit të performansës së mësimdhënësve nuk është efektiv, sepse bëhet vetëm një herë në pesë vjet dhe bëhet nga ana e inspektoratit të arsimit, i cili thjesht nuk ka kapacitet që ta bëjë një vlerësim të tillë për 23 mijë mësimdhënës, sa janë afërsisht në Kosovë”, tha zëvendësministri i Arsimit, Dukagjin Pupovci.

/GazetaSinjali/