image Publikohen pamjet e shpërthimit me tritol në makinë ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës

Shqipëri

Publikohen pamjet e shpërthimit me tritol në makinë ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës

news image

Pamjet e kamerave të sigurisë së banesës së Benard Ndrecës, kanë zbuluar atentatin ndaj kreut të PD në Vaun e Dejës, të cilit i shpërtheu makina me tritol.

Në këto pamje duken 2 persona të maskuar të cilët pas mesnatës kanë vendosur në pjesën e përparme nga ana e pasagjerit lëndën plasëse poshtë makinës tip Audi të Benard Ndrecës.

Autorët kanë pritur deri në agim, kur në mjetin e tij është futur vetë kreu i PD të Vaut të Dejës. Sapo ai ka lëvizur mjetin, tritoli ka shpërthyer. E gjithë ngjarja është e filmuar nga kamerat e sigurisë.

Nga shpërthimi nuk ka pësuar lëndime Benard Ndreca, kjo për shkak edhe të vendosjes së tritolit nga krahu i pasagjerit.

Kreu i PD-së së Bashkisë së Vaut të Dejës, Benard Ndreca është shprehur se atentati ndaj tij me tritol është një sulm politik.

Gjatë fjalës së tij për mediat, Ndreca është shprehur se nuk ka pasur asnjëlloj kërcënimi ditët e fundit si dhe ka shtuar se nuk ka konflikte me asnjë njeri duke pretenduar se ngjarja lidhet me detyrën e tij si kreu i PD-së në Vaun e Dejës.

Ndreca po ashtu ka thënë se policia duhet të distancohet nga politika dhe qytetarët të votojnë me vullnetin e tyre të lirë.

Benard Ndreca: Ky është një incident i mirëorganizuar që më ka ndodhur mua dhe familjes time. Unë jam Benard Gjon Ndreca. Nuk kam asnjëlloj përplasje, as familja ime dhe as farefisi dhe askush. Ky incident e ka një emër dhe dihet që është për “politikë”. Mua më është bërë politike si kryetar i degës së PD-së. Çdo gjë është e pasqyruar me pamje filmike sepse shtëpia është me kamera.

Në orën 06:30 të mëngjesit, kur kam dalë nga shtëpia, kam ndezur makinën, kur kam hyrë 2 minuta brenda, pas 2 minutash kam hipur në makinë. Në momentin që ka lëvizur makina nga vendi, atëherë ka plasur. Po e them edhe njëherë: Unë nuk kam asnjëlloj konflikti të hapur me asnjë njeri dhe kjo është e përdorur politikisht. Nuk është e vendosur mina për Benard Ndrecën, por i është vendosur mina kryetarit të PD-së së degës së Vaut të Dejës dhe kjo dihet haptas sepse këto janë të mirëorganizuar për një sulm të tillë.

Gjatë këtyre ditëve nuk kam pasur asnjëlloj kërcënimi, asnjëlloj gjëje. Kamerat janë parë, vijnë 2 persona në orën 01:15 të natës, rreth 7 minuta vendosin ekspoziv ose mina ose do të dalë Policia me deklaratë se çfarë është, në momentin largohen më pas. Janë 2 persona të maskuar.

Thirrja është duke filluar që nga kryeministri, që nga ministri brendshëm, që nga drejtorët e përgjithshëm që të distancojnë policinë nga politika sepse në zonën e Vaut të Dejës dihet që përzihet policia me politikën. Distanconi policinë nga politika. Lejoni njerëzit që të votojnë vetë dhe të votojnë kë të duan vetë. Vullneti i njerëzve dihet se ku shkon. Kurrë nuk munden që ta mbajnë një bashki, as me presione dhe me asnjë tjetër.

/GazetaSinjali/