Gazeta Sinjali sot ka raportuar ekskluzivisht për një aksion të zhvilluar nga Njësia e Antidrogës në Policinë e Kosovës në Prizren, që ka rezultuar me konfiskimin e 18 kilogramëve marihuanë, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë të ditur se personat e dyshuar për këtë rast janë: Daim Daçaj 42-vjeçar, Bekim Cikaj 42-vjeçar dhe Kadri Berisha 39-vjeçar.
Para pak minutash, Policia e Kosovës, në faqen zyrtare, ka publikuar pamje nga operacioni i cili përfundoi me 18 kg marihuanë të kapur dhe dy persona të arrestuar si të dyshuar, ndërsa personi i tretë gjendet ende në arrati.
Sipas asaj që njofton Policia, konkretisht Drejtoria për Hetimin e Trafikimit, pas informacioneve të pranuara përmes rrugëve operative në teren, në rrotullimin hyrje-dalje në autostradë Prizren-Veri, ka ndaluar dy vetura të dyshuara ku gjatë kontrollimit të tyre janë gjetur: 1 qese e plastikës, 1 valixhe me 36 paketime substancë të dyshuar narkotike të llojit Marihuanë, me peshë gjithësej rreth 18 kg.
Gjatë zhvillimit të operacionit në cilësi të provave materiale janë sekuestruar: 1 veturë e tipit Renault me targa vendore, 1 veturë e tipit Audi me targa vendore, 2 telefona mobil, si dhe prova të tjera materiale që ndërlidhen me rastin.
Në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kompetent dhe me urdhër të gjyqtarit të procedurës paraprake janë kontrolluar shtëpitë dhe objektet përcjellëse të personave të dyshuar, ku gjatë kontrollimit të tyre nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
Me vendim mbi ndalimin e personave, dy të dyshuarve meshkuj/kosovarë u është caktuar masa e ndalimit, ndërsa një person tjetër i dyshuar mashkull/kosovar gjendet në arrati.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.