Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për Haris Kelmendin, zyrtari policor i cili dyshohet se ka keqtrajtuar Leotrim Ramën në Prishtinë.
Tani Gazeta Sinjali nga burimet e veta ka mësuar se arsyeja kryesore për caktimin e masës së paraburgimit nga Gjykata Themelore në Prishtinë, rezulton të jetë dyshimi se në rast se Haris Kelmendi mbrohet nga liria, ai do të mund të pengojë procesin e të provuarit.
Të njëjta burime bëjnë të ditur se këtë dyshim, Gjykata e ka mbështetur në faktin se i pandehuri Haris Kelmendi, sapo është liruar nga ndalimi policor, ai ka telefonuar të dëmtuarin, Leotrim Rama, me një telefon pa numër, duke i kërkuar atij që të ndryshojë deklaratën e tij.
Sinjali mëson se Gjykata po ashtu ka vlerësuar se me qëndrimin e tij në liri, ai do të mund të ndikojë edhe te kolegët e tij që akoma nuk janë identifikuar nga Prokuroria, ndërkaq edhe ata konsiderohen si bashkëkryerës të veprës penale me të cilët ngarkohet Haris Kelmendi.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.