image Mungesa e ministrit Sveçla në seancën e sotme - Flet gjyqtari i rastit

Drejtësi

Mungesa e ministrit Sveçla në seancën e sotme – Flet gjyqtari i rastit

news image

Sot në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka qenë e caktuar të mbahet seanca ndaj ministrit të Punëve të Brendshme Xhelal Sveçlës, kreut të PSD-së, Dardan Molliqajt dhe 11 të akuzuarve të tjerë, për gjuajten me gurë e mjete piroteknike në drejtim të policëve, në vitin 2013. Por kjo seancë dështoi pasi mungoi ministri Sveçla.

Fillimisht në një medium u raportua se gjyqtari i rastit ka lëshuar urdhëresë për sjelljen e tij me detyrim në seancë. Përveç Sveçlës, mungoi edhe i akuzuari tjetër Agron Kabashi.

Për dështimin e kësaj seance në një prononcim për Gazetën Sinjali, ka folur gjyqtari Eroll Gashi, i cili deklaroi se deri më tani nuk është lëshuar urdhëresë, por që një gjë e tillë do të ndodhë, nëse nuk arsyetohet mungesa në seancën e ardhshme, që ende nuk është caktuar.   

Gashi ka sqaruar se sot është konstatuar se dy të akuzuarit nuk janë paraqitur në seancë, prandaj është kërkuar që të verifikohen adresat e tyre dhe të ridërgohen ftesat edhe një herë.

“Nuk është lëshuar urdhëresë, por do të lëshohet në rast se nuk e arsyetojnë mungesën për seancën e radhës. Paraprakisht duhet të bëhet verifikimi i adresave për dy të pandehurit, të caktohet seanca dhe ata që nuk janë paraqitë në mënyrë të rregullt, do të lëshohet urdhëresë me detyrim. Në rast se caktohet seanca, veprimet i merr gjykata për të lëshuar urdhëresë”, tha Gashi për Sinjali.

Ai tutje njoftoi se deri më tani ministri Sveçla nuk e ka arsyetuar mungesën e tij në seancën e sotme.

“Njëri që s’ka qenë prezent, është lajmëru pas 1 ore e gjysmë. Kurse zotëri Sveçla deri më tash nuk ka pasur asnjë arsyetim për mungesën e tij”, shtoi tutje gjyqtari Gashi.

Gazeta Sinjali sot ka kontaktuar Sveçlën për të marrë një deklaratë për mungesën e tij në këtë seancë, por i njëjti ka qenë i paqasshëm. Secilën telefonatë të redaksisë ai e ka injoruar, duke e ndalur telefonin.

Aktakuza ndaj Sveçlës dhe të tjerëve

Sipas aktakuzës së ngritur në mars të vitit 2014, nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, Dardan Molliqaj, Arsim Maqastena, Pajtim Havolli, Agron Kabashi, Egzon Azemi, Pajtim Demaj, Xhelal Sveçla, Frashër Krasniqi, Nol Nushi, Bekim Shkodra, Afrim Hoxha, Sami Avdiu dhe Besnik Qelaj akuzohen se më 27 qershor 2013 gjatë protestës, me qëllim të dëmtimit të personave zyrtarë-pjesëtarëve të Policisë së Kosovës kanë kryer veprime të dhunshme huligane.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Sveçla dhe të akuzuarit e tjerë ngarkohen se gjatë kësaj proteste kanë hedhur gurë, ngjyrë, sfera të qelqit, shishe, mjete piroteknike në drejtim të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës ku si pasojë e këtyre veprimeve lëndime të lehta trupore kanë pësuar disa policë.

/GazetaSinjali/