image Pse djali deputetit të LVV-së nuk u dërgua në karantinën e Qendrës së Studentëve pasi u kthye nga SHBA? - Sinjali

Koronavirusi/ Pse djali deputetit të LVV-së nuk u dërgua në karantinën e Qendrës së Studentëve pasi u kthye nga SHBA?

news image

Të dielën që lamë pas, djali i deputetit të LVV-së, Liburn Aliut, u kthye nga SHBA. I njëjti nuk iu nënshtrua karantinimit në Qendrën e Studentëve. Në lidhje me këtë ka folur edhe vet Liburn Aliu.

E.Aliu, u kthye të dielën nga SHBA-të në Kosovë përmes aeroportit të Prishtinës.

Ai nuk iu nënshtrua karantinimit në Qendrën e Studentëve, ashtu siç është përcaktuar me rregulloren e MSH-së dhe institucioneve përkatëse.

Në lidhje me këtë, kanë reaguar zyrtarë të opozitës të cilët kanë akuzuar për selektim partiak të personave që i nënshtrohen karantinimit në Qendrën e Studentëve.

Mirëpo, për këtë çështje për lajmi.net ka folur edhe vet Liburn Aliu. Ai ka arsyetuar vendimin për mos-karantinimin e djalit të tij, duke thënë se grupi i studentëve ku bënte pjesë ai, është urdhëruar për tu mos dërguar në Qendrën e Studentëve, për shkak të moshës nën 18 vjeç.

“Të gjithë nxënësit e ardhur nga SHBA në kuadër të programit YES, rreth 20 sa ishin, janë urdhëruar për vetëizolim për shkak të moshës nën 18 vjeç dhe pasi që nuk kanë qenë në përcjellje nga prindi. Në të njëjtën mënyrë është urdhëruar edhe djali im i cili ka 17 vjeç”, ka sqaruar Aliu për lajmi.net.

Ditëve të fundit, ka pasur akuza të ashpra nga opozita në drejtim të partisë në pushtet, Vetëvendosjes, se ka bërë selektim partiak për personat që janë kthyer nga jashtë Kosovës, dhe të cilët nuk i janë nënshtruar karantinimit.

Madje, për këtë çështje sot ka folur edhe presidenti Thaçi, i cili është shprehur se “Grupi i Kurtit” duhet të jap përgjegjësi për këtë dukuri. /Gazeta Sinjali/


Shpërndaje artikullin

Etiketat kryesore: