image PSD: Kurti me politikë struci, qeveria e tij vagon i negociatave të Thaçit

Kosovë

Reagimi/ PSD: Kurti me politikë struci, qeveria e tij vagon i negociatave të Thaçit

news image

Partia Socialdemokrate (PSD) ka reaguar pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Mynih.

Partia e udhëhequr tash nga Dardan Molliqaj, ka thënë se “marrëveshja e nënshkruar në një errësirë të plotë informative” po përcillet me “politikë struci” nga kryeministri Albin Kurti dhe qeveria e tij, shkruan Gazeta Sinjali.

“Sot u nënshkrua marrëveshja për linjën hekurudhore dhe autostradës midis Kosovës dhe Serbisë. Njëjtë sikur ajo për linjën ajrore, edhe kjo marrëveshje po nënshkruhet në një errësirë të plotë informative. Krejt çfarë dimë është që për Kosovën nënshkroi Xhemë Veseli si Drejtor i Transportit Rrugor dhe Ramë Qupeva si Drejtor i Infrastrukturës Rrugore, kurse për Serbinë Marko Gjuriq, udhëheqës i të ashtuquajturës Zyre Serbe për Kosovën. Pjesëmarrës të ceremonisë i pamë që ishin edhe presidentët Thaçi e Vuçiq, sigurisht krejt kjo nën udhëheqjen e ambasadorit amerikan në Berlin, Richard Grenell”, thuhet në reagimin e PSD-së.

PSD akuzon Kurtin dhe qeverinë e sapozgjedhur se nuk e kanë hall marrëdhënien me Serbinë, por vetëm marrëdhënien me Serbinë, duke mbetur, siç thotë, “vagon i negociatave të Hashim Thaçit”.

“Kryeministri dhe Qeveria e sapozgjedhur po vazhdojnë me politikë struci. Siç duket halli i tyre nuk është marrëdhënia me Serbinë, por vetëm marrëdhënia me publikun. Prandaj po fshihen. Me këtë çasje, Kryeministri e Qeveria do të mbeten vagon i negociatave të Hashim Thaçit. Dialogu me Serbinë kërkon guxim dhe vizion. Kosovës i duhet një marrëveshje ku ka njohje reciproke midis dy shteteve. Por, kjo nuk është e mjaftueshme për normalizim marrëdhëniesh. Kjo marrëveshje duhet të jetë me të vërtetë përfundimtare, e tillë që nuk lë asnjë çështje të hapur, që mbyll çdo llogari”, thuhet mes tjerash në reagimin e PSD-së.

https://www.facebook.com/Socialdemokratet/photos/a.1995186960742103/2453456501581811/?type=3&theater

Nën prezencën e të dërguarit të posaçëm të SHBA-së, Richard Grenell, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar sot marrëveshjet për linjën hekurudhore dhe autostradat. /Gazeta Sinjali/