image Protestuestuesit në Stantërg 'kërcënojnë' Albin Kurtin: Hajde këtu!

Kosovë

Revolta/ Protestuestuesit në Stantërg ‘kërcënojnë’ Albin Kurtin: Hajde këtu!

news image

Aplikantët e pakënaqur me procesin e fundit të punësimit në ndërmarrjen Trepça, për të tretën herë radhazi janë duke protestuar para minierës së Trepçës në Stantërg, duke kërkuar në mesin e tyre prezencën e kryeministrit të Kosovës dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, për zgjidhjen e problemit.

Në të kundërtën, ata paralajmëruan nga dita e enjte pjesëmarrje në protestë edhe të fëmijëve, nxënësve, personave me aftësi të kufizuar dhe të tjerëve.

Nehat Mehmeti, njëri nga aplikantët e konkursit për punëtor në minierë, ka bërë të ditur se në këtë konkurs janë pranuar njerëz që kanë pasur më pak pikë, ndërsa janë refuzuar të tjerët me numër pothuajse maksimal të pikëve.

“Në dorë kam listën e rezultateve të testit me shkrim , dhe kam po ashtu listën përfundimtare të personave të pranuar. Në testin me shkrim kam marrë 94 për qind të pikëve, ndërsa ka aplikantë të cilët në testin me shkrim kanë marrë 53 për qind dhe janë në listën e të pranuarve”, ka thënë Mehmeti.

Ai thotë se jeton me prindërit, bashkëshorten dhe dy fëmijë, ndërsa vazhdon të kërkoj punë gjithandej, pa zgjedhur fare, përkundër faktit se është i diplomuar në fakultetin ekonomik.

Edhe Alkan Halili, një tjetër aplikant me shkollim superior në këtë konkurs, përkatësisht gjeolog i diplomuar, tha se përkundër faktit që ka arritur pikët maksimale në test, ka mbetur jashtë listës së atyre që janë pranuar.

Sipas tij, gjatë këtij konkursi janë shkelur të gjitha të drejtat elementare të punëtorëve, sepse kusht kryesor për pranim ka qenë paraja dhe pozicionimi partiak.

“Kam aplikuar për punëtor të thjeshtë, nuk jam pranuar, edhe pse testin e kam kaluar, kam marrë pikët maksimale në test, mirëpo në fund nuk kam arrritur të dalë qysh kanë dashur këta.. Këtu ka pasur parregullsi, janë shkelur të drejtat e punëtorëve…Kanë marrë me të njofshëm, kanë marrë njerëz të cilëve ju punojnë prindërit këtu…Kusht i parë ka qenë paraja dhe e dyta me qenë partiak, që ne në këtë rast nuk kemi qenë.. sillet 5 mijë, 6 mijë deri në 10 mijë euro”, theksoi Halili.

Në anën tjetër, Arsim Musa, nga këshilli protestues, ka kërkuar ardhjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, si dhe ministrit të Zhvillimit Ekonomik, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për zgjidhjen e këtij problemi.

Në të kundërtën, shtoi ai, protesta e nesërme do të nxjerr në rrugë fëmijë, nxënës, persona me aftësi të kufizuara, pleq e të rinj.

“Ne kërkojmë nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe ministri i Zhvillimit Ekonomik, të vinë këtu pranë nesh dhe t’i zgjidhim këto derte e halle…Ndryshe, nëse nuk vinë, nesër kemi me i marrë edhe nxënësit, njerëzit me aftësi të kufizuara, të vjetër e të ri”, sqaroi për KosovaPress Musa.

Protesta është duke vazhduar e qetë dhe forcat policore janë prezente gjatë gjithë kohës, të cilat po e vëzhgojnë situatën nga afër. Ndryshe, protestuesit në këto momente kanë ngritur tenda dhe kanë sjellë stufa dhe lëndë djegëse, në të cilat po qëndrojnë kohë pas kohe për shkak të motit të ftohtë që po mbretëron në Stantërg.