Policia në Hong Kong e ka shpërndarë me forcë një grup protestuesish në qendër të qytetit, që kishin dalur për ta përkrahur pakicën ujgure të Kinës.
Dhjetëra policë dolën në një shesh për t’i shpërndarë protestuesit që hidhnin shishe xhami dhe gurë në drejtim të forcave të sigurisë.
Kurse, pasditen e sotme më shumë se një mijë persona e mbajtën një tubim të qetë me flamuj dhe postere ujgure. Kjo protestë ishte pjesë e vargut të kryengritjeve që kanë filluar para më shumë se gjashtë muajve.
Një grup i përbërë nga persona të moshave të ndryshme, të veshur me rroba të zeza dhe maska për të fshehur identitentin, mbanin në duar pankarta me mbishkrime: “Ujgurët e lirë, Hong Kongu i lirë” dhe “Autonomia e rreme e Kinës sjellë gjenocid”.
Kjo protestë erdhi pasi mesfushori i Arsenalit, Mesut Ozil, nxiti reagime të ashpra në Kinë, kur i kritikoi politikat e këtij vendi sa i përket trajtimit të pakicës ujgure në rajonin e skajshëm veriperëndimor, Xinjiang.
Sipas ekspertëve të Kombeve të Bashkuara, së paku një milion ujgurë dhe pjesëtarë të pakicave të tjera myslimane janë mbyllur në kampet kineze që nga viti 2017 si pjesë e një fushate që është dënuar nga Shtetet e Bashkuara, shkruan “Reuters”./Gazeta Sinjali/