image Protesta para parlamentit, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij nisen drejt Kuvendit

Shqipëri

Protesta para parlamentit, Sali Berisha dhe mbështetësit e tij nisen drejt Kuvendit

news image

Grupi parlamentar i PD-së është nisur drejt Kuvendit ku do të mbahet seanca plenare, por dhe protesta e thirrur nga opozita.

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar në selinë e PD-së, deputetët e PD-së i janë drejtuar selisë së parlamentit të rrethuar dhe nga mbështetësit e tyre.

12 deputetë të Partisë Demokratike do të mungojnë, në seancën e sotme pasi janë përjashtuar për shkak të sjelljes në seancat e kaluara.

Deputetët që do të mungojnë sot janë Sali Berisha, Gazment Bardhi, Flamur Noka, Edi Paloka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi, Ina Zhupa, Albana Vokshi, Luan Baçi, Tritan Shehu, Ervin Salianji dhe Bledion Nallbati

Ndërkohë në rendin e ditës të seancës së sotme është parashikuar të shqyrtohet kërkesa për shkarkimin e Lindita Nikollës si kryetare Kuvendi.

Grupi i PD-së nisi procedure e shkarkimit duke e akuzuar për  “shkelje flagrante të rregullores, minimit të parlamentarizmit dhe funksionimit demokratik të Kuvendit”.

Ajo pjesë e Partisë Demokratike që drejtohet nga Enkelejd Alibeaj i cili kryeson edhe Grupin Parlamentar, akuzon kryetaren e Kuvendit Lindita Nikolla se ka mbyllur seancën plenare për të mbrojtur kryeministrin Edi Rama, raporton euronews.al.

Sipas grupit të PD-së, kryetarja e Kuvendit u “mohoi të drejtën deputetëve të Kuvendit që të diskutojnë për çështjet e përfshira në Rendin e Ditës.”

Pas shqyrtimit nga Këshilli për Legjislacionin, tashmë do të jetë diskutimi në seancë plenare.

Paraprakisht kjo kërkesë është refuzuar nga maxhoranca. Kreu i Grupit parlamentarë të PS, Taulant Balla tha se kjo kërkesë nuk qëndron dhe nuk do të pranohet.

/GazetaSinjali/