Banorët e fshatit Shipashnicë të Kamenicës kanë protestuar sot afër çerdhes së këtij fshati, duke mos lejuar një veturë të Komunës të futet aty, raporton Gazeta Sinjali.
Për ta shpërndarë turmën policia ka përdorur sprej.
Kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati ka thënë se zyrtarët komunalë kanë qenë atje për të dërguar pajisje dhe inventar për çerdhen e këtij fshati, e cila është paraparë të shërbejë edhe për fshatrat përreth dhe dy vitet e para të jetë pa pagesë për fëmijët.
Kastrati ka shprehur keqardhje se si, siç thotë ai, po manipulohet komuniteti nga “disa badihavxhinj”.
“Është vërtetë për keqardhje deri në ç’masë është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj. Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet”, shkroi ndër të tjera ai.
Kastrati ka akuzuar ministren e Arsimit, Arbërie Nagavcin, për të cilin thotë se me qasjen e saj “po hedhë benzinë në zjarr”.
“Kjo është e turpshme dhe e pafalshme. P.S. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Prandaj, është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, me bashkëmoshatarë dhe edukatorë profesional”, ka përfunduar ai./Gazeta Sinjali/