Me ligjin e ri të punës është rekomanduar që gjashtë muajt e parë pas lindjes të konsiderohen si leje e lehonisë për nënën, teksa ogranizatat joqeveritare po kërkojnë që në tri periudhat e propozuara të lejes së lehonisë, një muaj lirim nga puna të jetë edhe për baballarët.
Në modelin e propozuar sot, u tha se gjashtë muajt e parë të lehonisë të paguhen nga shteti, tre nga punëdhënësi dhe tre të tjerë të jenë pa pagesë.
Adelina Tërshani nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se ligji aktual i punës lejon që punëdhënësit të diskriminojnë gratë.
Në bashkëpunim edhe me organizatat tjera, ajo ka prezantuar rekomandimet për modelin e lejes së lehonisë.
“Ajo që ne rekomandojmë si forum bashkë me FES dhe IKS është që në gjashtë muajt e parë të lejes të konsiderohet si leje e lehonisë për nënën. Në periudhën e parë të lehonisë, babai të ketë të drejtën të gëzojë një muaj të pushimit të lejes së atësisë e paguar, që mund të merret para apo pas lindjes së fëmijës. Përveç kësaj, gjashtë muajt në vijim duhet të konsiderohen si leje prindërore për të inkurajuar marrjen e barabartë të lejes nga të dy prindërit. Në përputhje me direktivën e Bashkimit Evropian mbi balancën punë-jetë, një muaj duhet të merret nga babai edhe është i pa transferuar, nuk mund të transferohet te nëna. Gjatë tre muajve të fundit, janë paraparë pa pagesë, të paktën një nga tre muajt duhet të merren nga babai edhe nuk mund t’i transferohen nënës”, ka thënë ajo.
Tërshani shtoi se leja e lehonisë dhe ajo prindërore duhet të trajtohen me Ligjin e Punës.
Për këtë është pajtuar edhe kryetarja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, Fatmire Mullhaxha Kollçaku, e cila tha se gjithçka që lidhet me punën duhet të trajtohet me këtë ligj.
“Ne kemi qenë edhe si deputete shumë të zëshëm kundër asaj tendence që të bëhet ndarja e pushimit të lehonisë, kinse me një ligj të veçantë, sepse kjo është jo vetëm e pakuptueshme e palogjikshme. E dimë se krejt çfarë ndërlidhet me punën duhet të rregullohet me Ligjin e Punës dhe pastaj mund të ketë legjislacion sekondar. Por, patjetër që kjo nuk mund të përjashtohet nga Ligji i Punës. Balancimi i jetës dhe punës duhet patjetër të bëhet”, ka thënë ajo, raporton kp.