Sot, rreth orës 16:00 në parkun e lagjes “Arbëria” (ish-Dragodan) në Prishtinë është gjetur pa shenja jete koloneli i Forcave të Sigurisë së Kosovës, Gyrner Murati, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prishtinë, ai dyshohet se ka kryer vetëvrasje me armë zjarri.
Nga kjo prokurori kanë thënë për Gazetën Sinjali se trupi i pajetë i kolonelit do të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
Prokuroria e shkallës së parë e Prishtinës ka bërë të ditur se ka nisur hetimet lidhur me këtë rast.
“Lidhur me këtë rast, prokurori kujdestar i Departamentit të Krimeve të Rënda të Prokurorisë Themelore në Prishtinë është njoftuar se ka ndodhur rreth orës 16:00 në lagjen “Arbëria” në Prishtinë. Dyshimet e para kanë të bëjnë me një vetëvrasje, ku me urdhër të Prokurorit të Shtetit është hapur rast në drejtim të veprës penale “vetëvrasje”, me ç’rast trupi i pajetë do të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë, si dhe do të ndërmerren të gjitha veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të zbulimit të kësaj ngjarjeje”, thuhet në përgjigjen e kësaj prokurorie për Gazetën Sinjali.
Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se koloneli Murati kishte qenë duke komunikuar përmes telefonit me Policinë e Kosovës, në momentin kur i kishte dhënë fund jetës së tij.
Gazeta Sinjali ka dërguar pyetje edhe në polici për të kuptuar se cila ishte arsyeja e telefonatës së tij, por nga zyra e mediave kanë refuzuar të japin detaje, duke thënë se hetimi është në fazën fillestare.
“Rasti është në fazën fillestare të hetimit dhe asnjë detaj më shumë se konfirmimi që ju përcollëm nuk mund të japim aktualisht”, thuhet në përgjigjen e policisë./Gazeta Sinjali/