Nga shkëmbimi me armë që ndodhi sot në magjistralen Ferizaj – Kaçanik kanë pësuar dy vëllezër ku njëri prej tyre ka vdekur dhe tjetri është plagosur rëndë, shkruan Gazeta Sinjali.
Lidhur me rastin Prokuroria Themelore në Ferizaj, konkretisht Departamenti për Krime të Rënda përmes një komunikate ka bërë të ditur se motivet për këtë ngjarje ende nuk dihet dhe të dyshuarit gjenden ende në arrati.
Sipas Prokurorisë, të dyshuarit kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”, të Kodit Penal të Kosovës.
“Prokuroria Themelore në Ferizaj, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës janë duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar rreth zbardhjes së rrethanave të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e tyre.
Ndërkohë, Sinjali mëson se vëllezërit që pësuan nga të shtënat me armë zjarri, janë Kastriot dhe Hasan Berisha. Hasani nuk ka mundur t’u bëjë plagëve dhe ka vdekur derisa Kastrioti është pa vetëdije.
Sinjali mëson se i plagosuri është në gjendje të rëndë dhe është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.
Burimet e Sinjalit kanë bërë të ditur se Policia është në kërkim të personit të dyshuar për këtë vrasje, ndërkohë që të dy palët që janë përfshirë në rast kanë të kaluar kriminale dhe janë të njohur për policinë.
Sipas të njëjtave burimeve motivi i vrasjes është qërimi i hesapeve mes tyre.
Me urdhër të prokurorit, trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion, në Institutin e Mjekësisë Ligjore.
Rastin e kanë konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës për Sinjalin të cilët kanë thënë se ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:00 në magjistralen Ferizaj – Kaçanik.
“Ju njoftojmë se sot në ora 14:00 kemi marr një informacion se në rrugën magjistrale Ferizaj – Kaçanik tek vendi i quajtur “Fusha Pajtimit” , përball” Varrezave të Dëshmorëve, 2 persona te moshës madhore kanë marr plagë nga arma e zjarrit. Nga informatat e para njeri për pasojë ka ndërruar jetë në vendin e ngjarjes, kjo konfirmuar nga ekipet mjekësore , ndërsa tjetri është transportuar për ndihme mjekësore ne Ferizaj e me pas është transportuar për QKUK për trajtim te mëtutjeshme mjekësor . Në vendin e ngjarjes janë ekipe të policisë që po hetojnë rastin”, thonë nga policia.