Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj një personi, nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas aktakuzës, dyshuari, I.O. së pari ka angazhuar një kompani për prerjen dhe krasitjen e drunjëve pa kaluar në procedurat e tenderimit dhe në kundërshtim me vendimin e DShP-së në Prizren.
Ndonëse duhej të dërgoheshin në hapësirat e Agresionit të Pylltarisë në Prizren, i dyshuari i ka dërguar drunjtë e prerë në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë të transportuara përmes firmës Sh.P.K. “B”, duke i mundësuar asaj përfitim pasuror të kundërligjshëm.
“Sipas aktakuzës, i akuzuari I.O., me datë 27.01.2022 rreth orës 13:30 në Prizren duke qenë në cilësinë e personit zyrtar – inxhinier i pylltarisë pranë Autoritetit Pyjor në kuadër Drejtorisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Komunës së Prizrenit, tejkalon kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie pasurore për vete ose për personin tjetër – në rastin konkret personit juridik Sh.P.K ‘’B’’ nga fshati V. – KK Suharekë, në atë mënyrë që duke zbatuar vendimin e Drejtorisë së Shërbimeve Publike të Komunës së Prizrenit për prerjen dhe krasitjen e drunjëve të cilët gjenden në parkun e qytetit dhe dërgimin e tyre në hapësirat e Agjensionit të Pylltarisë në Prizren, duke tejkaluar kompetencat e veta në mënyrë të paautorizuar së pari angazhon kompaninë Sh.P.K ‘B’ për prerjen dhe krasitjen e drunjëve, pa kaluar në procedurë te tenderimit dhe në kundërshtim me vendimin e D.SH.P në Prizren që të njëjtat të dërgohen në hapësirat e Agresionit të Pylltarisë në Prizren, drunjtë e prerë në sasi prej 43,96 m3 i dërgon në hapësirat e zonës industriale në Lubizhdë të cilat janë transportuar përmes firmës e cila ka bërë prerjen dhe krasitjen e drunjtëve duke i mundësuar të njëjtës përfitim pasuror të kundërligjshëm”, thuhet në njoftim.