image Prokuroria konfirmon për Sinjalin ndalimin e të dyshuarit për plagosjen e Hill Palucës në Prizren – hetohet për tri vepra penale

Drejtësi

Prokuroria konfirmon për Sinjalin ndalimin e të dyshuarit për plagosjen e Hill Palucës në Prizren – hetohet për tri vepra penale

news image

Gazeta Sinjali ka raportuar dje për të shtëna me armë zjarri në lagjen “Bajram Curri” në Prizren, ku si pasojë mbeti i plagosur një person.

Siç ka mësuar ekskluzivisht Sinjali, personi që pësoi lëndime nga arma e zjarrit është Hill Paluca, ndërsa i arrestuari në lidhje me këtë plagosje është Gjelbrim Xhoxhaj.

Burimet e Sinjalit nga Emergjenca kanë bërë të ditur se Paluca është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor, ku ka marrë ndihmën e nevojshme nga stafi shëndetësor.

Në lidhje me rastin është ndaluar edhe Diart Bytyqi, i cili dyshohet se ndodhej së bashku me Hill Palucën në momentin kur ndodhën të shtënat me armë zjarri.

Ndalimin e një personi për këtë rast e ka konfirmuar për Gazetën Sinjali edhe Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren Petrit Kryeziu.

“Po, në relacion me të dëmtuarin të cilit i referoheni, H.P., mund të konfirmoj se një person është ndaluar me vendim të prokurorit për 48 orë, për tri vepra penale: lëndim i rëndë trupor me armë zjarri, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm dhe armëmbajtje pa leje”, ka deklaruar ai për Sinjalin.

Kryeziu ka bërë të ditur se Prokuroria, brenda afatit ligjor, do të kërkojë caktimin e një mase për sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë.

“Brenda afatit ligjor, Prokuroria do të parashtrojë kërkesë për caktimin e masës për sigurimin e të pandehurit në procedurë”, ka shtuar ai.

Pas të shtënave, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante të Policisë së Kosovës, të cilat kanë rrethuar zonën dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të plagosjes.

Motivet e incidentit ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa Policia dhe Prokuroria po vazhdojnë veprimet hetimore për të sqaruar mënyrën se si ka ndodhur ngjarja dhe rolin e personave të përfshirë.

Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për të gjitha zhvillimet e reja lidhur me këtë rast.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/