Gjykata Themelore në Prizren ka shqyrtuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, që të dyshuarit Roland Susurit t’i caktohet masa e paraburgimit prej një muaji për shkak të dyshimit se ka kryer dy vepra penale, pjesëmarrje në rrahje dhe manipulimi me prova lidhur me vrasjen e Visart Cengut, në lokalin “Kobra City”, raporton Gazeta Sinjali.
Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të marr aktvendim lidhur me kërkesën e Prokurorisë për masën e paraburgimit.
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Prizren Nazan Shero, tha për Gazetën Sinjali se ka fillur hetimi ndaj të dyshuarit dhe zgjerimi i hetimeve i cili dyshohet për kryerjen e dy veprave penale pjesëmarrje në rrahje dhe manipulimi me prova.
“Prokuroria brenda afatit ligjor ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit”, tha prokurorja Shero, duke mos dhënë informacione tjera.
Derisa në mesditë ka filluar shqyrtimi gjyqësor nga ana e gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Prizren e cila ka përfunduar në orën 13:00.
Roland Susuri ishte arrestuar dje nga Policia në Prizren lidhur me vrasjen e rëndë në Prizren e cila kishte ndodhur me 03.01.2023 rreth orës 04:00.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.