Gazeta Sinjali pak më parë raportoi se dy persona janë arrestuar, për rrahjen e një vajze në Pejë. Të dyshuarit janë arrestuar në momentin kur ata po e kryenin rrahjen.
Zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikqi, ka thënë për Sinjalin se dy personat e arrestuar janë dërguar në mbajtje për 48 orë.
“Dy persona janë dërguar në ndalim për 48 orë”, tha ai për Sinjalin.
Gazeta Sinjali më herët ka kontaktuar edhe me zëdhënësin e Policisë në rajonin e Pejës, Fadil Gashi, i cili ka thënë se viktima është dërguar në spital për trajtim.
“Rreth orës 14:00 në rrugën Nëna Tereza në Pejë, Policia ka hasur në një rrahje e cila ishte në progres, ka arrestuar dy persona, viktima është dërguar në spital”, deklaroi Gashi.
Nga video e dërguar nga sinjalizuesit në adresë të Gazetës Sinjali shihet një grua dhe një djalë duke e rrahur një vajzë të re.
Për disa minuta ata vazhdojnë ta godasin vajzën në tërë trupin me boksa e shqelma.
Rasti në prokurori është cilësuar si “Lëndim i lehtë”./GazetaSinjali/