Sot, në media është deklaruar Ministri i Integrimeve Evropiane, z.Blerim Reka, i cili nder të tjera ka theksuar se “Prej 61 rasteve të profilit të lartë të korrupsionit nuk është përfunduar asnjë, atëherë mos të habitemi pse po ngec ky proces”.
“Andaj, Prokurori i Shtetit sqaron opinionin dhe Ministrin e Integrimeve Evropiane, z.Blerim Reka, se pohimet e tij nuk janë të sakta, pasi që deri më tani, në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, janë shënjestruar 61 raste me gjithsej 459 persona të korrupsionit dhe të krimit të organizuar.
Po ashtu, njoftojmë opinionin, se nga 61 raste të shënjestruara, 48 prej tyre janë me aktakuza, ndërkaq, 32 raste për të cilat janë ngritur aktakuza i përkasin natyrës korruptive ku janë të përfshirë 229 persona të ndryshëm.
Gjithashtu, nga 61 rastet e përgjithshme, 16 raste janë me aktakuza që i përkasin natyrës së krimit të organizuar, ku janë të përfshirë 155 persona.
Ndërkaq, 14 raste kanë vendim të formës së prerë, 17 raste janë vendosur në shkallë të parë, 17 raste i kemi me shqyrtim gjyqësor, 8 raste janë në fazën e hetimeve ku janë të përfshirë 99 persona, për 4 raste kanë pushuar hetimet ku kanë qenë të përfshirë 11 persona, si dhe 1 rast me pezullim të hetimeve ku është i përfshirë 1 person”, thuhet në reagimin e Prokurorisë së Shtetit.
Ndryshe, Ministri i Integrimit Evropian të Kosovës, Blerim Reka, duke folur sot për ngecjen e liberalizimit të vizave ka deklaruar se për t’u arritur një gjë e tillë duhet të ketë luftim të korrupsionit dhe dënim të rasteve të profilit të lartë.
“Prej 61 rasteve të shënjestruara të profilit të lartë nuk është përfunduar asnjë, atëherë edhe të mos habitemi pse po ngec procesi i liberalizimit të vizave. Rreth 400 mijë euro para të pashfrytëzuara nga IPA. Ne do të përpiqemi ta tejkalojmë këtë vonesë në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ai. /Gazeta Sinjali/