image Prokuroria e Ferizajt i reagon ashpër Sveçlës: Deklaratat e tij janë tendencioze dhe po përdoren për përfitime politike

Drejtësi

Prokuroria e Ferizajt i reagon ashpër Sveçlës: Deklaratat e tij janë tendencioze dhe po përdoren për përfitime politike

news image

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçla i cilin tha se prokuroria dhe gjykata janë treguar të papërgjegjshme në rastet e mëparshme të Dardan Krivaqës.

Sipas tyre, këto deklarata janë të paqëndrueshme, shfaqin mosnjohuri elementare profesionale, janë krejtësisht tendencioze dhe kanë për qëllim dezinformimin dhe manipulimin e opinionit për përfitime politike.

“Për dijeninë e Ministrit të Punëve të Brendshme, Prokuroria është organ kushtetues ndjekës dhe kompetencat e ndara duhet t’i dallojë dhe aq më shumë edhe t’i kuptojë. Po ashtu ia bëjmë me dije se Prokuroria Themelore në Ferizaj çdo herë ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore ndaj të pandehurit D.K dhe se në të gjitha rastet ndaj tij ka ngritur aktakuza dhe të njëjtat i ka proceduar në Gjykatën Themelore në Ferizaj”, thuhet në komunikatë.

“Ju bëjmë thirrje bartësve të institucioneve ekzekutive që të përmbahen nga çfarëdolloj deklarimi i pamatur, i pakonfirmuar dhe tendencioz, sepse kjo qasje nuk iu shërben as atyre dhe as të vërtetës faktike”. /Gazeta Sinjali/