image Prokuroria del me njoftim për aksionin e Policisë në Shtërpcë

Siguri

Prokuroria del me njoftim për aksionin e Policisë në Shtërpcë

news image

Policia e Kosovës në koordinim me Prokurorinë Themelore në Ferizaj është duke zhvilluar një aksion që lidhet me sekuestrimin e kamerave të vendosura nga strukturat ilegale në komunën e Shtërpcës. Këto kamera dyshohet se kanë përcjellë lëvizjet e qytetarëve dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Prokuroria përmes një komunikate për media ka rikonfirmuar se janë duke u bastisur katër lokacione të ndryshme dhe është duke u bërë largimi i kamerave të vendosura nga strukturat ilegale.

Me urdhër të Prokurorisë Themelore në Ferizaj dhe në zbatim të urdhër kontrollit të lëshuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj, Policia e Kosovës, sot, është duke zhvilluar një aksion në Shtërpcë, përkatësisht, janë duke u bastisur katër (4) lokacione të ndryshme, si dhe është duke u bërë largimi i kamerave të vendosura nga strukturat ilegale”, thuhet në komunikatë.

Sipas Prokurorisë, lidhur me këtë aksion nuk ka ende persona të arrestuar.

Ndryshe, prokurori i rastit, Rasim Maloku, ka bërë të ditur për Gazetën Sinjali se po bastiset objekti i strukturave ilegale serbe dhe tri lokacione tjera ku dyshohet se janë të vendosura këto pajisje për monitorimin e kamerave të sigurisë në vendet publike në komunën e Shtërpcës.

Maloku tha se strukturat ilegale kanë monitoruar kamerat e sigurisë që kanë përcjellë lëvizjet e qytetarëve dhe institucioneve të vendit, e më pas ato janë përcjellë në strukturat e sigurisë në Serbi.

Sipas Malokut, Policia pritet të zbarkojë edhe në disa vende nga ku dyshohet se po monitorohen këto kamera të vendosura nga strukturat ilegale serbe, si dhe do të intervistohet drejtori i shkollës.

/GazetaSinjali/