image Prokurori i Shtetit flet për torturën çnjerëzore nga Policia e Kosovës ndaj qytetarit në Gjakovë

Kosovë

Reagim/ Prokurori i Shtetit flet për torturën çnjerëzore nga Policia e Kosovës ndaj qytetarit në Gjakovë

news image

Prokurori i Shtetit, Besim Kelmendi që është përgjegjës për komunikim me gazetarë është deklaruar për torturën çnjerëzore që komandanti i Policisë së Kosovës për rajonin e Gjakovës, Kristë Gjokaj së bashku me pesë vartësit e tij i kishin bërë një të arrestuari duarlidhur në stacion, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali, kishte publikuar ekskluzivisht videon e këtij skandali policor në stacionin e Policisë në Gjakovë ku shihen sesi Kristë Gjokaj së bashku me kapitenin Bekim Preqi, rreshterin Gëzim Biblekaj si dhe Agron Idrizin, Milot Ukajn dhe Shaban Limanajn kishin torturar të prangosurin.

Përkundër se qytetari ishte i prangosur dhe nuk përbënte asnjë rrezik për policët, ata kishin sulmuar fizikisht dhe kishin torturuar në mënyrë çnjerëzore qytetarin duke i shkaktuar lëndime të shumta.

Edhepse me këtë rast më herët ishte marrë Prokuroria e Gjakovës dhe Inspektoriati Policor i Kosovës, të gjithë përfshirët në këtë rast ishin rikthyer në vendin e njëjtë të punës pas një muaj suspendimi.

Por, pas publikimit të videos nga Gazeta Sinjali, ende nuk është vendosur asnjë masë ndëshkuese ndaj këtyre zyrtarëve policorë.

Besim Kelmendi, prokuror i shtetit në emisionin Jeta në Kosovë që transmetohet në RTK ka thënë se prokurori duhet të jetë i informuar, duke mos e përjashtuar mundësinë që të informohet edhe nga mediat.

“Prokurori duhet me qenë i informuar dhe si mund të informohet një prokuror, me një raport me një shkrim në media me një kallëzim penal, me një person që shkon në zyre dhe raporton.

Këtu pajtohem që jo secili prokuror fillon një hetim në bazë të një paraqitje të një mediumi sepse duhet me qenë një person kompetent që i përcjell mediat. Shembull unë marr prej juve shumë shpesh nga raportet e auditimit. Nuk mund të themi se prokurori nuk po bën asgjë, derisa të publikohen në media pa e raportuar”, ka deklaruar ai në këtë emision, shkruan Gazeta Sinjali.

Gazeta Sinjali kishte publikuar ekskluzivisht torturat që i ishin bërë një qytetari nga Policia e Kosovës në Gjakovë./Gazeta Sinjali/