image Prokurori i rastit Dehari i përgjigjet akuzave të përkthyesit se iu kërkua përkthimi i konkluzave për 5 minuta në Viber

Kosovë

Reagim/ Prokurori i rastit Dehari i përgjigjet akuzave të përkthyesit se iu kërkua përkthimi i konkluzave për 5 minuta në Viber

news image

Prokurori i rastit Deharit, Metush Biraj është deklaruar për Gazetën Sinjali rreth akuzave të përkthyesit Ismail Ismaili se ka qenë i shtyrë nga Prokuroria që t’i përkthejë konkluzat e raportit vetëm pesë minuta para se ato t’i dorëzoheshin familjes.

Ai ka qenë kontradiktor në qëndrimet e tij rreth kësaj çështjeje, pasi fillimisht ka deklaruar se nuk është në dijeni rreth pretendimeve të përkthyesit ndërsa më vonë ka mohuar deklaratat e Ismail ismailit se nuk e ka pranuar tërë materialin për përkthim me kohë.   

“Nuk di unë asgjë në atë drejtim. Për atë punë s`di kurrgjë hiç. Asgjë nuk jam në rrjedha”, është përgjigjur fillimisht për Gazetën Sinjali, prokurori Metush Biraj.

Por, pas insistimit për të dhënë përgjigje rreth pretendimit të përkthyesit se pse prokuroria nuk ia ka dhënë me kohë për përkthim konkluzat ekspertizës zvicerane në gjuhën frënge, prokurori Biraj ka shfaqur shenja nervozizmi dhe është deklaruar ndryshe prej asaj që tha në fillim.  

“Çka është ajo pyetje z. gazetar? Po çka je tu bo kësi farë lloj pyetje? Hajgare tash je tu bo a? Krejt ia kemi dhonë me kohë atij, përkthyesit ato farë materialet. Në tërësi e ka pranu, komplet në gjuhën frënge e ka pranu materialin… more përfshirë me konkluza e me krejt, komplet materialin e ka pasë përkthyesi në dispozicion. Komplet, komplet, komplet, me konkluza, me të gjitha” ka thënë prokurori Biraj, raporton Gazeta Sinjali.

Përkthyesi i ekspertizës së autoriteteve zvicerane, Ismail Ismaili, më herët, në një deklaratë për Gazetën Sinjali fajësoi Prokurorinë Themelore të Prizrenit se ia kishte dhënë për përkthim faqen e konkluzave kryesore të raportit të shkruara në frëngjisht vetëm 5 minuta para se t`i dorëzohej raporti familjes Dehari dhe atë përmes Viberit, për përkthim të atypëratyshëm. Ai ka thënë se prokuroria madje ka tentuar ta fajësoj se e ka harru për përkthim letrën e konkluzave.

“A kanë dashtë ata me i mshefë a çka kanë dashtë me bo, punë e tyre!?”, ka thënë përkthyesi  Ismaili.

Gazeta Sinjali merr vesh se përkthyesit i është dërguar faqja me konkluza përmes Viberit nga anëtarja e Këshillit Prokurorial të Kosovës, Suzana Pllana.

Prokurori Metush Boiraj thotë se përkthyesi nuk ka pasur kurrfarë presioni kohor për ta kryer përkthimin.

“Ai ka pasë obligim me krye përkthimin. E ka bo përkthimin. Është çështje e tij, tash qysh e tek”, ka theksuar prokurori Biraj i cili nuk ka pranuar t`i komentoj as kritikat publike rreth mos trajtimit serioz të ekspertizës shkencore të Institutit të Mjekësisë Ligjore të Lozanës në Zvicër. /Gazeta Sinjali/