image Profesori amerikan: Kurti dhe Vuçiq përfitojnë nga kriza në Veri

Politikë

Profesori amerikan: Kurti dhe Vuçiq përfitojnë nga kriza në Veri

news image

Edward Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, thotë se nuk ka pritje të mëdha nga takimi i kësaj jave mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq – i pari pas më shumë se katër muajsh.

Sipas tij, do të ishte “befasi e këndshme” nëse do të kishte ndonjë përparim.

Duke folur në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Joseph thotë se Bashkimi Evropian, si ndërmjetësues i dialogut, duhet t’i kujtojë të dyja vendet se kanë një marrëveshje për të zbatuar.

Për zgjidhjen e situatës në veri të Kosovës, ai thotë se të gjitha palët duhet t’i luajnë rolet e veta.

Por, thotë Joseph, kriza i përshtatet si Vuçiqit, ashtu edhe Kurtit.

“Vuçiq përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar [për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën]… Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit…”, thotë Joseph.

Sipas tij, Vuçiq nuk është partner i SHBA-së, por edhe Kurti “ka qenë jashtëzakonisht i vështirë dhe i papërgjegjshëm në qasjen e tij ndaj veriut” dhe “kjo nuk është në përputhje me të qenët partner i mirë me Shtetet e Bashkuara dhe Perëndimin”.

Radio Evropa e Lirë: Një takim mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të mbahet më 14 shtator. Për herë të fundit, ata janë takuar më 2 maj. Çfarë prisni nga takimi i radhës?

Edward Joseph: Nuk mendoj se mund të presim shumë përparim. Kjo nuk do të thotë se nuk ka mundësi për asnjë përparim, por, thjesht, nuk duhet të kemi pritje shumë të mëdha. Do të befasohemi këndshëm, nëse do të ketë përparim.

Ajo që është e rëndësishme të dalë nga ky takim, është që Brukseli ta kujtojë secilin se ka një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë. Është e rëndësishme për BE-në që të ndalojë së foluri për dialogun, sepse ka një marrëveshje, një marrëveshje që ka ofruar Brukseli dhe që është arritur në shkurt. Ka, po ashtu, një aneks që i adreson të gjitha çështjet e zbatimit të saj, [për të cilin është rënë dakord në Ohër]. Dhe, është e rëndësishme që BE-ja t’i kthehet asaj dhe t’i kujtojë palët se – sipas vetë BE-së dhe SHBA-së – janë të detyruara ta zbatojnë.

Radio Evropa e Lirë: Situata në veri të Kosovës mbetet e pazgjidhur. Në fushën e kujt është topi tani?

Edward Joseph: Topi është në fushën e BE-së dhe të SHBA-së për të dalë nga kjo [situatë].

Ne mund ta drejtojmë gishtin e fajit kah Albin Kurti, i cili kritikohet ashpër edhe në Kosovë, nga opozita e tij, për veprimet e pamatura, për tendosjen e marrëdhënieve me SHBA-në dhe me BE-në, për refuzimin e planit të BE-së për shtensionimin [e situatës në veri] dhe për ndëshkimet që kanë goditur Kosovën për shkak të veprimeve të tij. Pra, qartazi, Kurti ka faj. Por, kjo nuk do të thotë se Aleksandar Vuçiq është i pafajshëm dhe se topi nuk është, gjithashtu, në fushën e tij. Sepse, Vuçiq ka një rol të madh në krijimin e kësaj krize.

Kur flasim për topin në fushë, mendohet se vetëm një aktor duhet të veprojë, por kjo nuk është e vërtetë.

Vuçiq ka pasur një rol jashtëzakonisht të madh në krijimin e kësaj krize, duke mos bërë asgjë kundër bojkotimit të zgjedhjeve [në veri të Kosovës nga ana e serbëve lokalë]. Këtë e ka bërë pas Marrëveshjes së Ohrit, me të cilën Kurti është pajtuar në parim për krijimin e Asociacionit [të komunave me shumicë serbe] – gjë të cilën ka thënë se nuk do ta bëjë kurrë.

Pra, nuk mund të thuhet se topi është në fushën e Kurtit dhe nuk është në fushën e Vuçiqit. Është vërtet në fushën e BE-së dhe të SHBA-së. Ato duhet të jenë serioze për këtë, të sigurojnë se kanë një marrëveshje dhe të marrin hapa për t’i mbajtur palët të përkushtuara në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

Radio Evropa e Lirë: Atëherë, kush mendoni se përfiton nga krizat e vazhdueshme në veri?

Edward Joseph: Po ju them se kush nuk përfiton dhe ata janë të gjithë qytetarët e Kosovës që jetojnë në veri: serbë, shqiptarë, boshnjakë… Ata sigurisht që nuk përfitojnë. Por, përfitojnë të gjithë ata që janë përfitues të status quo-së. Ata përfshijnë strukturat në veri, të cilat përfitojnë nga fakti që nuk ka sundim të qëndrueshëm të ligjit në zonë.

Politikisht, unë do të thosha se Aleksandar Vuçiq përfiton nga gjithçka që e pengon ta zbatojë marrëveshjen që SHBA-ja dhe BE-ja thonë se e ka pranuar. Kurti sigurisht përfiton, sepse presioni tani është vetëm për hapat e shtensionimit [të situatës në veri], dhe jo te çështja e Asociacionit”, deklaroi ai.

/GazetaSinjali/