image Profesorët e UP-së shkelin vendimin e senatit, vonojnë vendosjen e notave në SEMS

Arsim

Profesorët e UP-së shkelin vendimin e senatit, vonojnë vendosjen e notave në SEMS

news image

Senati i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina” më 29 maj të këtij viti mori vendim për përcaktimin e formës së mbajtjes së afateve të rregullta dhe të jashtëzakonshme të provimeve për studentët e nivelit bachelor dhe master, për vitin akademik 2019/20.

Pika 12 e këtij vendimi obligon mësimdhënësit që notat e provimeve t’i vendosin në Sistemin Elektronik për Menaxhimin e Studentëve (SEMS) më së largu 72 orë pas mbajtjes së provimit.

Por, shumica e profesorëve e kanë shkelur këtë pikë të vendimit, pasi që të njëjtit nuk i kanë vendosur notat në SEMS edhe gati 1 javë pas mbajtjes së provimeve, shkruan Gazeta Sinjali.

Sinjalizues të shumtë të cilët janë studentë në Fakultetin Jurdik, Fakultetin Ekonomik, Fakultetin e Arteve dhe atë të Filologjisë të Universitetit të Prishtinës i kanë thënë Gazetës Sinjali se vonesat e vendosjes së notave në SEMS përsëritet secilin afat dhe se këto vonesa mund t’u pamundësojnë atyre paraqitjen e provimeve për afatin e rregullt të qershorit.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar me prorektorin për Çështje me Studentët, Hysen Bytyçi, i cili është po ashtu anëtar i senatit për të marrë një prononcim nga ai lidhur me këto vonesa.

Bytyçi tha se shkelja e vendimeve të senatit apo mosrespektimi i tyre nga ana e pedagogëve është e pararsyeshme qoftë edhe në pandemi.

“Në vazhdën e procesit të centralizimit dhe dhënies së përgjegjësive njësive akademike, ne jemi pajtuar që kjo të menaxhohet nga dekanët, respektivisht prodekanët për mësim dhe njësitet përkatësise. Kështu adresa e parë e studentëve duhet të jenë ata. Mandej ata do t’ju gjejnë zgjidhje, sepse e kanë përgjegjësi njësitet e caktuara. Unë mendoj që është e paarsyeshme, jo vetëm tani në kohën kur po ballafaqohemi me problemet e pandemisë, por edhe në situata më normale të mundshme të shkelen vendimet e trupës më të madhe të Universitetit të Prishtinës, që është senati, të mos respektohen vendimet e tij nga disa pedagogë…Ne, duhet të deklaroj, nuk kemi pranuar asnjë ankesë, as në zyren e rektorit, as në zyren time”, tha ai.

I pyetur se çfarë masa merren ndaj profesorëve të cilët i shkelin vendimet e senatit, Bytyçi tha se të njëjtit delegohen për në Këshillin e Etikës në UP-së.

“Natyrisht nëse ndodh kjo, procedohet nga njësitë akademike, jo senati. Për çdo shkelje apo mosrespektim të vendimeve të senatit, delegohet në Këshillin e Etikës. Këto masa rrjedhin proceduralisht nga njësitet akademike të njësitit përkatës”, sqaroi Bytyçi.

Për shkak të vonesës së vendosjes së notave në SEMS, studentët mund të privohen nga e drejta për paraqitjen e provimeve për afatin e rregullt të qershorit./Gazeta Sinjali/