image Problemet me votimin elektronik/ PS thirrje qytetarëve: Kthehuni dhe votoni

Shqipëri

Problemet me votimin elektronik/ PS thirrje qytetarëve: Kthehuni dhe votoni

news image

Zëdhënësja e Partisë Socialiste, Bora Muzhaqi ka dalë sërish në një deklaratë për mediat ku iu ka bërë thirrje qytetarëve të cilët nuk patën mundësinë të votojnë për shkak të problemeve të pajisjeve të identifikimit biometrik, që të rikthehen sërish në qendrat e votimit për të votuar.

Gjithashtu PS apelon të gjithë ata që ende nuk kanë votuar të shkojnë edhe të japin votën e tyre.

“Dëgjuam reagimin e komisionerit Celibashi për “qeverinë ku bën pjesë zonja”, por nuk dëgjuam ndjesën e tij drejtuar mijëra zgjedhësve, të cilët në më shumë se 500 qëndra votimi, u penguan të votojnë pasi pajisjet elektronike të KQZ-së nuk funksiononin.

Arsyet e mosfunksionimit të tyre ishin nga më absurdet, (deri edhe për moskarikim të baterisë), por kjo meriton një analizë të veçantë pas zgjedhjeve, sepse “qeveria ku bën pjesë zonja” e ka financuar masivisht KQZ-në për pajisjet e identifikimit elektronik, si edhe për ato të votimit elektronik.

Prandaj edhe nuk ka se si të mos na vijë tmerrsisht keq për mosdhënien e shërbimit të identifikimit elektronik, duke penguar mijëra zgjedhës për disa orë, teksa KQZ-ja nuk merrte dot as vendimin elementar të nisjes së votimit në çdo qendër, pa i mbajtur njerëzit me orë në pritje, përtej orarit zyrtar të fillimit të zgjedhjeve.

Por këtu jam përsëri për apelin e Partisë Socialiste, drejtuar të gjithë atyre që s’mundën të votojnë në orët e para të mëngjesit:

Ju lutemi rikthehuni gjatë ditës dhe kryeni detyrën tuaj qytetare, duke votuar! Po ashtu, Partia Socialiste u bën apel edhe të gjithë zgjedhësve të tjerë që nuk janë drejtuar akoma në qendrat e votimit dhe ende nuk e kanë ushtruar të drejtën e votës: Ju lutemi bëheni këtë në orët në vijim!

E përsëris, kushdo prej nesh që voton, voton edhe për ata që nuk e kanë të mundur të votojnë, sepse janë larg apo sepse janë ende fëmijë, por duan dhe meritojnë një Shqipëri akoma më të mirë.

Vota vlen shumë! Vota vendos shumë! Vota e përcakton më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen tonë të përbashkët! Prandaj thirrja e Partisë Socialiste është votoni, votoni, votoni!”, tha Muzhaqi.

/GazetaSinjali/