Moti i keq ka shkaktuar probleme në lundrimin detar, kryesisht të anijeve tregtare dhe peshkarexhave, ndërsa tragetet kanë mbërritur me vonesë, për shkak të fluksit të pasagjerëve që vijnë në atdhe për pushimet e fundvitit, por edhe nga vështirësitë që kanë hasur nga moti i keq.
Burimet zyrtare nga Kapiteneria e Durrësit bënë me dije se një traget nga Bari mbërriti në kohë, ndërsa në mesditë priten dy tragete, një nga Bari dhe një nga Ankona me rreth 5 mijë pasagjerë.
Siç mund të shihni dhe në videon e mëposhtme, qytetarët nga trageti i nisur nga Ankona bëjnë apel për ndihmë në “News24” dhe “BalkanWeb”, pasi kanë mbetur të bllokuar në det, për shkak të motit të keq.
Kjo fundjavë shënoi edhe fluksin në rritje të pasagjerëve që kthehen për të kaluar festat e fundvitit në atdhe pranë familjeve dhe të afërmeve të tyre. Ndërkohë që Kapiteneria dhe Policia kufitare kanë marrë masa për të lehtësuar kalimin e tyre në pikën kufitare me shtimin e personelit dhe të sporteleve.
Numri i pasagjerëve që presin në Bari për t’u kthyer në atdhe është i lartë e për pasojë tragetet po punojnë me kapacitet të lartë duke bërë dy rrugë në ditë vajtje- ardhje. Të njëjtat burime thanë se tragetet nuk kanë patur probleme në lundrim, ndërsa kapitenëve të peshkarexhave u është kërkuar të marrin masa në vendstrehime për mjetet e tyre deri në përmirësim të motit.