image Prizreni mbushet me grafite pas arrestimit të mësuesit të dyshuar për pedofili

Sociale

Prizreni mbushet me grafite pas arrestimit të mësuesit të dyshuar për pedofili

news image

Fazli Kikaj është ndaluar sot pasi po akuzohet se ka kryer veprën “Ofrimi i materialit pornografik personave nën moshën gjashtëmbëdhjetë vjet”. Madje, Sinjali gjatë ditës ka raportuar se pas arrestimit, me urdhër të prokurorit të rastit është bastisur banesa e të dyshuarit, ku janë gjetur dëshmi në lidhje me rastin.

Detajet tronditëse u publikuan në emisionin ‘Piranjat’ në ABC, ku përkundër që gazetarja është prezantuar si 15-vjeçare, 76-vjeçari ka bërë biseda erotike me të dhe i ka dërguar fotografi e video të organit të tij gjenital. Ai është takuar më pas me ‘të miturën’ në Prizren, të cilën e ka ftuar në momentin e parë në shtëpinë e tij.

Në lidhje me këtë tashmë qyteti i Prizrenit është mbushur me grafite të ndryshme, ku Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist thotë se lajmet e fundit që zbulojnë një mësimdhënës pedofil, përveç tronditëse, po tregojnë çdo herë që dhuna ndaj vajzave e grave është duke ndodhur kudo e kurdo.

“Ky rast, sikundër rastet tjera të abuzimeve seksuale ndaj vajzave e grave janë alarm për sigurinë e tyre. Ky nuk është veç rast i pedofilisë por dhunë sistematike ndaj vajzave e grave që sillet rreth seksualizimit të trupit femëror. Ky është krim. Krim i cili nuk është i izoluar por paraqet rrezik të vazhdueshëm për secilën vajzë e grua në Kosovë”, thuhet në njoftim.

Grafitet e shkruara sonte në mure shkollash e hapësira tjera publike në Prizren, Kolektivi thotë se shprehin revoltën ndaj cenueshmërisë së vajzave dhe grave dhe kulturës së amnistimit të dhunës me bazë gjinore.

“Dhuna ndaj vajzave e grave në shkolla, familje, punë e rrugë nuk është incident periferik, është sinjal i një sistemi të kalbur i cili mbahet përmes dhunës së gjinizuar. Nga Prizreni ne thërrasim për reagim kolektiv ndaj dhunës me bazë gjinore, ndëshkim për kriminelët e solidaritet me të gjitha vajzat e gratë. Nga këtu ne insistojmë se siguria e liria e asnjërës prej nesh nuk ka kuptim pa lirinë e gjithësecilës prej nesh”.

/GazetaSinjali/