Minsitria e Shëndetësisë e ka shfuqizuar vendimin për karantinimin e qytetit të Prizrenit i cili sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese ishte në kundërshtim me Kushtetutën, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë e ka bërë të ditur kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka i cili tha se ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, e ka njoftuar se numri i rasteve në Prizren mund të rritet, prandaj kjo ministri do të ndërmarr masa të reja.
“Sapo u njoftova nga Ministria e Shëndetësisë e cila ka shfuqizuar vendimin për karantinim të qytetit të Prizrenit. Në bisedë telefonike me ministrin Vitia, gjithashtu u njoftova se në Prizren janë duke u bërë një numër i madh i testeve, kryesisht të kontakteve të stafit mjekësor të Spitalit Regjional dhe të pacientëve e familjerëve të tyre. Kjo do të thotë se numri i rasteve në ditët në vijim mund të rritet akoma më shumë, prandaj për këtë arsye Ministria e Shëndetësisë do të ndërmerr masa të tjera me qëllim të parandalimit të përhapjes së mëtejmë virusit COVID-19”, ka shkruar i pari i Prizrenit në Facebook, duke kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi që të mbrojnë veten dhe familjet e tyre./Gazeta Sinjali/