Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë është në rritje çdo ditë e më shumë. Vazhdimisht gratë që përjetojnë dhunë nga familjarët e tyre, kryesisht bashkëshortët, kërkojnë ndihmën e Policisë për të marrë mbrojtje dhe për të zgjidhur problemet, raporton Gazeta Sinjali.
Si pasojë e konfliktit bashkëshortor, dje në Polici kanë përfunduar edhe një çift nga Prizreni. Atje dyshohet se burri ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij.
Sinjali mëson se si pasojë e dhunës së përjetuar, viktima ka kërkuar ndihmë mjekësore në Emergjencën e Spitalit Rajonal në Prizren, teksa rastin e ka denoncuar edhe tek organet e hetuesisë.
Njësitë policore kanë arritur që të arrestojnë të dyshuarin, i cili është shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që 50-vjeçari të dërgohet në mbajtje për 48 orë. Ai do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.