image Prishtinë: Burri përdorues i kokainës e fut me zor në veturë bashkëshorten e tij, dërgohet në mbajtje

Siguri

Prishtinë: Burri përdorues i kokainës e fut me zor në veturë bashkëshorten e tij, dërgohet në mbajtje

news image

Përdorimi i substancave narkotike përpos që dëmton seriozisht shëndetin e përdoruesve, u shkakton telashe të mëdha në shoqëri. Kjo si pasojë e humbjes së kontrollit mbi veprimet e tyre, duke u bërë kështu agresivë e duke krijuar probleme në familje, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën ‘Enver Zymberi’ në Prishtinë, ku një burrë dyshohet se ka përdorur forcë ndaj bashkëshortes së tij.

Sinjali mëson se e gjithë ngjarja ka ndodhur në afërsi të çerdhes së fëmijëve të çiftit, ku sipas gruas pasi i ka dorëzuar fëmijët në institucionin parashkollor, aty është shfaqur bashkëshorti i saj.

Sipas burimeve, ai ka kërkuar nga 33-vjeçarja që të hip në veturën e tij, por ajo e frikësuar ka refuzuar t’i bindet.

Shkak për frikën e gruas dyshohet të jetë përdorimi i substancave të dyshuara narkotike të llojit marihuanë dhe kokainë nga i dyshuari, gjë e cila ka bërë që ai të ketë sjellje agresive karshi saj.

Sado që ajo vazhdoi rrugën në këmbë, nuk arriti t’i shpëtojë atij, pasi i dyshuari kishte shkuar pas saj dhe në një moment kishte tentuar ta fus me dhunë në veturë.

Njësitet policore me të marrë informatën janë vënë në lëvizje me ç’rast kanë arritur që ta arrestojnë të dyshuarin, i cili u shoqërua në stacion policor për intervistim.

31-vjeçari para hetuesve policorë ka pranuar që ka tentuar ta fus bashkëshorten e tij me dhunë në veturë, por me arsyetimin se ka dashur ta dërgojë në punë.

Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunë në familje’.

/GazetaSinjali/