image Prishtina 01, fituese e Kupës së Kosovës

Sporte të tjera

Futsall/ Prishtina 01, fituese e Kupës së Kosovës

news image

FC Prishtina 01 është fituese e Kupës së Kosovës në futsall.

Në ndeshjen finale, e cila u zhvillua pikërisht në ditën e shënimit të 12-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës, në një ambient madhështor në Pallatin e Rinisë dhe Sportit, skuadra e Prishtinës 01 ia arriti të mposhtë skuadrën tjetër nga kryeqyteti Mabetex Prishtina, me rezultat 2:1.

Të dyja ekipet dhuruan lojë me ritëm të shpejtë dhe me aksione të rrjedhshme, derisa rivaliteti ishte maksimal. Në pjesën e parë më kërcënues u shfaqën lojtarët e Mabetex Prishtinës, të cilët vazhdimisht ishin në kërkim të golit, por hasën në mbrojtje tejet të organizuar të kundërshtarit dhe si rrjedhojë 20 minutat e parë u mbyllën pa gola.

Në pjesën e dytë loja ishte më e baraspeshuar, derisa rezultati u zhbllokua Shefki Kamberi në minutën e 29-të. Tre minuta më vonë Mabetex Prishtina i barazoi shifrat me golin e Shqipron Brahimit, duke e bërë fundin e ndeshjes tejet dramatik. Megjithatë, për fituesin e kësaj finaleje u përkujdes Elijesa Neziri, i cili u tregua i saktë nga penalltia në minutën e 37-të. Në tre minutat e mbetura lojtarët e Mabetex Prishtinës u vërsulën me të gjitha forcat për të barazuar rezultatin, duke luajtur pa portier, por nuk ia arritën qëllimit.

Në fund festa ishte e lojtarëve të Prishtinës 01, të cilët i gëzohen për herë të parë këtij trofeu./Gazeta Sinjali/